Header Ads

Përse është e rëndësishme muzika e LA FAZANIT

 






La Fazani (Arbër Salihu) na ra për herë të parë në sy, rreth vitit 2017 si pjesë e Oborrit, ku me këngën e tyre “Gjuj me dritë” ne i përzgjodhëm si një prej 10 këngëve më të mira të vitit. Që prej asaj kohe, ai vazhdon po aq suksesshëm karrierën solo, ka publikuar albumin “Specie Turshi” dhe është shpallur fitues i edicionit të parë të Festivalit të Këngës në RTK. Në Shqipe, ju pëlqejnë të justifikohen sesi publiku me preferencat e tij i ka limituar në krijimtarinë artistike e nga ana tjetër të ankohen e kritikojnë se nuk bëhet art. La Fazani është një kundërpërgjigje e të dyjave. Ai krijon muzikë, art, i qëndron besnik krijimtarisë së tij dhe ka njohur sukses. E kuptueshme që për një treg të vogël dhe modest si ky i yni sfidat janë të mëdha, por a nuk është i gjithë arti një sfidë? Përtej anës komerciale të tregut, se në fund të fundit është dhe biznes, artisti në radhë të parë duhet të drejtojë publikun e jo ta lërë publikun ta kufizojë atë. Gjithmonë duke ruajtur një respekt reciprok. La Fazani mund të jetë një pionier, por sot nuk është i vetëm. Një sërë artistësh të rinj kanë filluar dalëngadalë të dominojnë tregun, ironikisht duke iu kundërvënë atij (tregut), me krijimtari eksperimentale, prurje interesante dhe art. Duke gjetur kështu audiencën dhe sallat e tyre që dikur presupozohej se nuk ekzistonin në Shqipe. E ardhmja e muzikës sonë, sapo u bë akoma më interesante!


Urime për këngën e re “A je mirë?” e cila dhe neve na ka pëlqyer shumë. Po La Fazani…a ndihet mirë sot?


Sapo jam kthy nga pushimi nga një shtëpi buzë lumit dhe detit, kam vrapu në plazhë si gazellë e kam notu në det’ si delfin. Po ndihna i fortë e plot energji, i gatshëm me sundu krejt botën!








Ju keni më shumë se një dekadë që jeni bërë i njohur për publikun, fillimisht me Oborri_n dhe tani si La Fazani. Si ndodhi kalimi nga Oborri tek La Fazani?


Oborrin, bashkë me Tomor Kuçin e kemi lansu në vitin 2017. Ka qenë projekt që e kemi punu me shumë dashni e kujdes, ka marrë dikun 3 vjet që me përgatitë krejt albumin, edhe ka qenë si studim doktorature për prodhim muzikor - kemi pasë çasje shumë eksperimentale, kemi inçizu gjithëçka live, edhe kemi mësu sa me i përfundu 20 fakultete gjatë atij projektit. Pas lansimit, Tomori iki në Angli në studime, e unë ika në Vietnam ku jetova 1 vit. Kur u rikthym, ishim të etur për t’i lansuar solo-karrierat…


Gjithmonë keni qënë i veçantë në prurjet dhe prezantimet tuaja. Janë të paktët artistët indie në tregun muzikor shqiptar. Ju si do ta përcaktonit muzikën tuaj? 



Me të vërtetë e kam’ të vështirë ta definoj vetën në këtë sens… Besoj se fakti se jam rritur me muzikë të viteve 1960ta, sidomos me atë të grupit “the Beatles”, ma ka lejuar ta kem një fleksibilitet ekstrem tek stilet muzikore. Muzika e fundit të asaj dekade, ka qenë revolucionare në shumë aspekte, por sidomos në atë të gjithëpërfshirjës stilistike: brenda vetëm një albumi të një grupi si psh “the Beatles”, ke gjetur muzikë pop, hard-rock, blues, rock&roll, muzikë klasike, muzikë indiane, folk, country, r&b, soul, psychedelic rock, avant-garde elektronike, barok pop, ska etj. Duke qenë student i pasionuar i bendeve të tilla, gjithmonë më ka ardhë lehtë të shtegtoj nga një zhanër në tjetrin.
Me Oborrin kemi bërë shumë muzikë psikodelike, tash me La Fazan definitivisht e preki hip-hopin alternativ, me ngjyrime të folklorit ballkanik si dhe muzikës indie, çfarëdo që do të thotë ajo…


A është vështirë të jesh indie artist në Shqipe (Kosovë e Shqipëri)? Cilët janë disa prej artistëve të këtij zhanri që do na rekomandonit?


Për me mbijetu si artist i pavarur në këto treva, duhet ta kesh kokën e demit e zemrën e luanit. Pasi që realisht nuk kemi industri me infrastrukturë të mirëfilltë muzikore, si dhe treg mjaftueshëm të madh me shije diverse stilistike, secili projekt që e punon kërkon motivim të jashtëzakonshëm, duke e marrë parasysh se gjasat janë të vogla që ta sjellin ndonjë përfitim substancial. Motivimin tim e ndihmon idea se e shoh vetën përtej një artisti, e shoh si aktivist kulturor i dedikuar për ta pasuru kangën, shprehjën, e kulturën shqiptare. 

Prej artistëve ma të rinjë në shqiptari, muj me i përmendë: Sytë, Mal Maliqi, Sahati, the Milksnatchers, Ereza, Bana Zahiti... jom i bindun që kom harru edhe shumë të tjerë.







Një e veçantë shumë e rëndësishmë në krijimtarinë tuaj janë tekstet e këngëve, të cilat janë mjaft të godituara. Përshembull, teksti i “A je mirë?” është fantastik! /Nuk m’vyn alltija me t’bo ballë/me fjalë e kangë e valle, t’kalli në halle/ …shumë domethënëse. E veçoj këtë pasi vë re që tekstet shqiptare së fundmi janë shumë vetpërsëritëse dhe ngjasojnë me citatet e Instagramit…


Kryesisht, tekstet e këngëve të mija burojnë nga eksperiencat dhe ndjenjat e mia autentike. “A je mirë?” ka dalë si rezultat i plot eksperiencave barbare që i kam obzervu në rrethin ku jetoj, edhe secila linjë e tekstit është dokumentim i asaj çka unë e kam përjetu si çmenduri kolektive i jetës në këtë kohë në Kosovë. 


Ju vjet publikuat albumin “Specie Turshi”. Na flisni pak rreth kopertinës së albumit që…FIKSIM, dhe pse ky titull? Kush karakterizohet si një specie Turshi?


“Specie turshi” e reprezenton natyrën e izolimit të njeriut Kosovar. I mbyllur në kavanoz, pa shumë kontakt me botën e jashtme, por kushtet unike e krijojnë mundësinë e mutacionit në një krijesë të veçantë, plot erëza, pikant në maksimum, i gatshëm për t’u sfiduar nga bota në mënyrën e vetë… Gjithashtu, loja e fjalëve është top.


Muzikalisht e shoh si një album eksperimental me influenca trip-hop, chillout, rrok, patriotizëm dhe …interesante …muzikën e mesviteve ’90 në Kosovë. Ju si do e përcaktonit këtë album? Si të thuash, cili ishte qëllimi muzikalisht? 


Edhe ky projekt ka marrë gjatë mu realizu - gjatë kësaj faze kam vendosur se jamë vetë producent, edhe ky hap më ka konfrontu me mënyra të ndryshme të prodhimit muzikor. Prandaj ndoshta edhe secila kangë tingëllon krejt ndryshe, se secila prej tyre është unë me një krejt tjeter software duke testu se a po di me e përdorë apo jo. 

Albumi është konceptualisht shumë i përmbledhur, mirëpo muzikalisht shumë hallakamë.


Dhe do kthehem përsëri tek tekstet. Jo për t’ju bërë qejfin por janë shumë të bukura. Mendoj, të paktën si e interpretoj unë mesazhin që përcjell ky album; Një përballim pozitiv me trysninë shoqërore në vend. Jo vetëm përshkruani problemet shoqërore, por ju kërkoni ti ndryshoni gjërat së bashku…


Fatmirë-apo-keqsisht, fati im është i lidhur me dry për Kosovën, e çelësin e ka ngrënë Xhapella.

E shoh të pamundur me pasë jetë të mirë e me prosperitet nëse si shoqëri jemi duke vujtë. Më duket se për me ecë përpara, duhemi me u konfrontu si trima me dobësitë, traumat dhe të metat tona. Me muzikën time provoj me i vu ato në pah, nganjëherë tu ofru ndonjë ide për zgjidhje, nganjëherë thjeshte t’u i përmendë si fakt - me shpresën se kjo e lehtëson konfrontimin tonë me vetvetën, dhe se ndoshta e bindë Xhapellën të ma kthejë çelësin.






A e para, parja a dhuna? 


Dashnija


Le të flasim dhe pak për stilin tuaj të vëshjes. Si çdo pjesë tjetër e krijimtarisë suaj, keni një stil të veçantë. Nuk mund të pritej ndryshe. Keni ndonjë influencë nga artistë të tjerë apo thjesht ju vjen natyrshëm?


Kam fatin të jetoj’ me një prej syve më të mbrehtë vizuel, dhe mendjeve më të ndritura artistike, të dashurën time Likana Cana. Kryesisht ajo është njeri më përgjegjës për gjithëçka vizuele (e shpesh herë edhe konceptuale) në raport me La Fazanin. Në përgjethësi, nuk frikësohem të përvetësoj personalitete të ndryshme, që më dërgojnë përtej vetvetës, kur vjen puna tek prezantimi artistik.


Shkrimtar, këngëtar, kompozitor, artist dhe regjizor… Ka ndonjë gjë që nuk e bën? :) Mund të na tregoni pak për projektin e fundit kinematografik? 


Bashkë me Likanën, e kemi fitu fondin nga Qendra Kinematografike e Kosovës për realizimin e filmit të shkurtë debutues artistik, “Vdekalogs”. Ky film paraqet situata absurde të cilat i gjejmë në përditshmërinë tonë, pra momente të thjeshta që në shikim të parë duken normale por kur i mendon dy herë e vëren se janë çmenduri totale. Jemi shumë entuziastë për t’a filluar procesin e filmimit.


E teksa ne tani do shkojmë të luajmë “A je mirë?”, Një pyetje të fundit. Kur do të ju shikojmë live sërisht në Tiranë?


Shumë shpejtë!


Elbino© Albanyac 06/2025


No comments

Powered by Blogger.