Xena Phoenix - Shqiptarja e parë në WOW!
Nëse do më kishe thënë në fëmijërinë time se një ditë do të merrja në intervistë një wrestler shqiptare, e për më tepër të parën në historinë e këtij sporti nga Shqipëria në rang profesional… boh! Zor se do ta kisha besuar! Dhe sot, një lloj ëndrre fëmijërore është bërë si të thuash realitet. Medina Ali, me emrin e skenës Xena Phoenix flet për Albanyac si e para shqiptare në WOW, një fakt të cilin dhe ajo vetë e ka mësuar rastësisht, por që shpreson të jetë frymëzues për çdo vajzë shqiptare që aspiron një të ardhme të tillë. Një karrierë plot sakrifica dhe vendime të rëndësishme, e një punë e palodhur, e kanë shndërruar Xena Phoenix në një prej emrave më premtues të WOW (Women of Wrestling), i cili transmetohet çdo të diel në CBS. Përveçse një wrestler e suksesshme, Xena ka dhe eksperienca artistike si aktore, këngëtare, modele etj., duke krijuar një profil të plotë për një aktore filmash me aksion. Një hap, që shumë wrestler të tjerë e kanë bërë e që mendojmë se në një të ardhme të afërt dhe ajo do t’ia arrijë. Një person i mrekullueshëm si në skenë dhe jashtë saj, ja se çfarë tregon ajo për Albanyac…
Elbino: Përshëndetje Xena Phoenix! Si po ja kaloni? Si po shkon sezoni deri tani?
Xena Phoenix: Ky sezon ka qenë si një ëndërr e shndërruar në realitet. Pikërisht në këtë kohë, vitin e kaluar, hyra në WOW me shpresën për të debutuar si një wrestler profesioniste, dhe tani po jetoj një ëndërr që kurrë s’e kisha menduar të mundshme. Jam përballur me sfida nga më të ndyrshmet, si mendërisht ashtu edhe fizikisht. Ky sezon ka qenë pika më kulmore e jetës sime dhe jam shumë e lumtur.
Të gjithë të njohin si Xena Phoenix, por emri yt i vërtetë është Medina Ali. Si lindi emri Xena Phoenix? A mund të na tregosh pak më shumë për personazhin tënd brenda dhe jashtë “skenës”?
Evolucioni i “Xena Phoenix” ndodhi në mënyrë shumë natyrale. “Xena Phoenix” është Medina Ali në versionin 10x më të fuqishëm. Kur hyra në wrestling, kisha një vizion për atë që doja të isha dhe çfarë doja të përfaqësoja. Dija që doja të ndaja me botën prejardhjen dhe kulturën time, ndaj dhe shqiponja shqiptare është kudo në kostumet e mia.Për sa i përket emrit tim, familja ma bëri këtë proces më të lehtë. Kur isha e vogël, babai më quante gjithmonë “Feniksi” i tij. Shpesh më përjashtonin nga ndeshjet sepse isha shumë “agresive”. Si fëmijë, ndihesha sikur kisha diçka gabim me veten – kisha pasion dhe energji që nuk dija si t’i kanalizoja veçse në sport. Më kujtohet si sot kur babai më tha: “Mos ndrysho kurrë. Ky shpirt dhe zjarr që ke, është talenti yt. Ti je feniksi.” Sot më duket një histori shumë e bukur kur e kujtoj dhe shoh se si kam evoluar si femër. Është një pjesë e imja që e kam ruajtur gjithmonë. Ndërsa emri “Xena” erdhi nga nëna ime e mrekullueshme. Më thërrasin “Dina” në jetën e përditshme dhe doja një emër që të lidhej me këtë. Po e kisha të vështirë të gjeja diçka që të shkonte me “Phoenix” si mbiemër. I telefonova mamit dhe më tha: “Pse nuk e quan veten Xena? Si Princesha luftarake? Gjithmonë kam dashur të kem një vajzë si ajo dhe pastaj të linda ty.” Mbeta pa fjalë. Nuk e dija që mamaja ime ishte fanse e Xena-s. Bisedova me krijuesit e spektaklit nëse kjo mund të bwhej e mundur, dhe pas disa përpjekjeve gjithçka u rregullua dhe lindi Xena Phoenix.
Je e para wrestler femër shqiptare profesioniste. Si ndodhi kjo?
Fakti që jam e para femër shqiptare në këtë sport nuk ishte diçka që e dija derisa u bë virale në rrjete sociale. Nuk hyra me idenë se do isha e para nga kultura ime që do ta bënte këtë – ndodhi në mënyrë shumë organike. “Xena Phoenix, shqiptarja që grushton”, është ajo që jam. Është diçka që më ka ardhur nga zemra. Është nder për mua të kem këtë platformë për të shprehur veten me të vërtetë. Po filloj të shkruaj trashëgiminë time në një mënyrë që as nuk e kisha imagjinuar. Është e vështirë të jesh “e para”, por është dhe nder. Po jetoj përmes veprimeve të frymëzuara, pasioni më udhëheq në jetë. Nëse mund të jem një model për vajza të tjera shqiptare që duan të ndjekin këtë rrugë, atëherë e di që po bëj diçka të drejtë. Ky është vetëm fillimi i rrugëtimit tim – po bëhem femra që kam ëndërruar të jem që fëmijë. Ndihem shumë e bekuar!
Çfarë mendoi familja jote kur u the: “Kam vendosur të bëhem wrestlere?” E them sepse e dimë si janë prindërit shqiptarë – “Ka humbur fare mendjen” hahahaha. Edhe mua më ka ndodhur. :)
E prisja këtë pyetje… Prindërit e mi kanë qenë jashtëzakonisht mbështetës. Rrugëtimi im nisi para një dekade kur u prezantova me MMA – artet marciale të përziera. Që e vogël kam qenë sportiste, dhe në universitet gjeta MMA si mënyrën time për t’u shprehur. Jam shumë fizike si person, ndaj kam nevojë të bëj diçka aktive ndryshe çmendem. Kur zbulova Brazilian Jiu-Jitsu, u dashurova me të. U bë pjesa qendrore e jetës sime. Trajnohesha çdo ditë nga 4-6 orë dhe e doja çdo minutë të saj. Nëna ime nuk e kuptonte pse më pëlqente të grushtoja e të luftoja me burra që donin të më shkatërronin, por babai ishte 100% pro. Ai vetë kishte qenë martial artist dhe ishte i lumtur që e gjeta këtë sport. Mamaja kishte frikë të mos lëndohesha, por kur pa që sporti po më ndryshonte jetën – notat e mia ishin të shkëlqyera, studioja për film – nuk kishte më kundërshtim. Në garën time të parë mora medalje ari për më pak se 40 sekonda. Të gjithë u mahnitën, përfshirë edhe veten. Ishte hera e parë që ndihesha e fortë, e sigurt, me pasion dhe... badass. Për shkak të Jiu-Jitsu, rastësisht u prezantova me wrestling. WWE më kontaktoi për një provë. Kishin parë disa nga garat e mia dhe më ftuan. Unë dhe familja ime kemi qenë gjithmonë fansa të wrestling. Mamaja gjithmonë thoshte: “Dina mund ta bëjë fare lehtë këtë.” Siç duket, ajo e kishte parashikuar sesi do të rridhnin gjërat në jetën time. Unë shkova për një provë dhe më ftuan në një kamp trajnimi si gjyqtare, e teksa trajnohesha nuk e hiqja dot wrestling nga mendja. U fiksova. Ajo provë ishte gjëja më e vështirë që kam bërë në jetën tim fizikisht dhe mendërisht. Më shtyu në kufijtë e vetvetes dhe zbulova një version timin që nuk dija se egzistonte. U prezantova me një ëndërr që nuk e Kisha menduar ndonjëherë. Doja të bëhesha një wrestler profesioniste. Rashë në dashuri me të. Pas kampit të trajnimit u regjistrova në një shkollë wrestling në Los Angeles që quhet Santinos. Ishte një shkollë shumë e vështirë. Wrestling nuk është si BJJ – nuk isha e natyrshme në këtë fushë ndaj dhe mendërisht e pata shumë të vështirë. Pata pasiguri dhe nuk e mendoja se do ta përvetsoja. Wrestling-u profesionist është një “përbindësh” tjetër; ka shumë më tepër sesa vetëm atletikë dhe teknikë. Në kohën kur isha te Santinos, po stërvitesha me kohë të plotë në BJJ dhe në wrestling, por u bë shumë për mua, kështu që më duhej të zgjidhja njërën. Vendosa të kthehesha te Brazilian Jiu-Jitsu sepse ndjeja që mund të bëhesha kampione bote për disa vite. Edhe pse e doja wrestling-un, u ktheva te BJJ sepse ishte dashuria ime e parë. Një vit më vonë, pas disa fitoreve dhe humbjeve, papritur më kontaktuan nga WOW – Women of Wrestling për të marrë pjesë në një provë për wrestling profesionist. Po arrija në një pikë te Brazilian Jiu-Jitsu ku kisha humbur “arsyen” pse e bëja. Sapo kisha marrë pjesë në një super-ndeshje të transmetuar në televizion ku fitova me një armbar. Ishte një arritje e madhe, por nuk mund të ndihesha krenare me veten sepse qëllimi për të cilin e bëja nuk ishte më aty. Mund të thuash që po kaloja një krizë të madhe ekzistenciale në të njëzetat...Kur më kontaktuan nga WOW u trondita, sapo isha regjistruar në kurse për të studiuar infermieri. Nuk e kuptoja çfarë po ndodhte, por isha jashtëzakonisht e emocionuar. Zjarri brenda meje u rikthye menjëherë. E kisha lënë pas dore wrestling profesionist, egoja ime nuk më linte të besoja se mund ta bëja vërtet. Ditën e provës time, mungova në leksion që të shkoja te WOW; i shkrova profesorit tim duke i thënë që kisha një emergjencë familjare. Ajo nuk më ktheu kurrë përgjigje, thjesht më hoqi nga kursi. A më interesoi? Jo dhe aq. Shkova në akademinë e trajnimit të WOW dhe më ofruan një vend që atë ditë, në provë. Gjithçka shkoi siç duhej. E dija që ndodhesha në vendin e duhur. Më në fund!WOW pa tek unë diçka që unë vetë nuk e shihja. Investuan tek unë… dhe shiko rezultatin …Xena Phoenix.
Dhe çfarë mendojnë tani që të shohin në televizion kombëtar (WOW transmetohet në CBS në NYC)?
Më pyesni si ndihem kur shikoj veten në televizion…Nuk jam mësuar ende me këtë ndjenjë. Është si një ëndërr e çuditshme (në kuptimin më të mirë të fjalës). Duhet të më pickoj veten çdo ditë. Më emocionon shumë të shoh Xena Phoenix në ekran. Ajo mishëron forcë, pasion, fuqizim dhe guxim… jam bërë një superhero e vërtetë – e vetmja gjë që kam dashur të jem që fëmijë. Po jetoj ëndrrën time!
Je padyshim një nga yjet e këtij sezoni të ri biles kanë nxjerr në shitje dhe veshjet me emrin tënd Xena Phoenix ! Sa cool është kjo?
Sezoni im i parë si “rookie” u shpalos në një mënyrë tërësisht të papritur — jam e habitur nga mënyra se si kanë reaguar fansat. Më bën të lumtur fakti që mund të ndikoj kështu tek të tjerët, duke bërë diçka që më vjen kaq natyrshëm dhe që e kam në zemër. Kur pashë për herë të parë veshjet e mia zyrtare, qava. Është e gjitha kaq “cool” dhe gjithmonë them: faleminderit. Ëndrra ime u bë realitet.
Një fakt interesant për ty është që je edhe këngëtare dhe në fakt një soprano! Ke studiuar muzikë klasike? Ke bërë ndonjë projekt muzikor?
Që e vogël, i kam bërë të gjitha. Kam qenë fëmijë teatri, sportiste në ekipin shkollor, udhëheqëse në këshillin e nxënësve, drejtuesve të klubeve, koriste… dhe lista vazhdon (qesh). Gjyshi im, Shaban Gjekaj, është një këngëtar i njohur shqiptar i muzikës klasike, ndërsa nëna ime, Ermelinda Gjekaj-Ali, e trashëgoi këtë natyrshëm. Pra, muzika më rrjedh në gjak. Gjithmonë kam dashur të këndoj. Si fëmijë ëndërroja të bëhesha popstar ose aktore. Jeta mori një drejtim tjetër dhe u bëra wrestlere profesioniste. Nuk e di nëse muzika është në planet e mia të afërta, por jam e hapur për çdo mundësi... e dua shumë!
Je atlete, ke bërë modeling, aktrim, di të këndosh dhe ke bërë teatër! Një paketë e plotë. Nëse do të duhet të zgjidhje, ku e sheh veten në të ardhmen?Personalisht, mendoj se me gjithë këto aftësi që ke dhe praninë tënde në WOW, unë të shoh me sy të sigurt drejt filmave. Ka kohë që nuk kemi pasur një yll të vërtetë femër në filma aksion.
E kam provuar gjithçka, dhe për këtë falënderoj prindërit e mi. Gjithmonë më kanë inkurajuar të provoj çdo gjë — dhe kështu bëra. Gjithmonë jam ndier si “jack of all trades” kur rritesha… isha e mirë në kaq shumë gjëra, sa nuk dija me cilën të lidhesha fort. Kam DASHUR aktrimin që fëmijë. Të performoja në skenë ka qenë gjithmonë gjëja ime e preferuar. Kam bërë projekte në TV/film, kam shkruar skenarë, kam montuar filma të shkurtër, kam studiuar prodhim… dhe do të doja shumë të rikthehem në botën e filmit — si aktore DHE si producente. Qëllimi im kryesor për disa vitet e ardhshme është të krijoj veten si wrestlerja më e mirë që mund të jem, pastaj të kaloj në filma. Edhe unë e shoh veten në atë drejtim. Mendoj se nuk kemi pasur një aktore të fuqishme aksioni për një kohë të gjatë. E gjithë kjo është argëtuese për mua dhe do të më pëlqente shumë të portretizoj më shumë gra të forta në ekran.
Kush është aktorja jote e preferuar e filmave aksion?
Do të thoja cilado nga superheroinat. Konkretisht: Gina Carano, Ronda Rousey, Scarlett Johansson, Angelina Jolie… dhe lista vazhdon. Të gjitha këto gra mishërojnë forcën, bukurinë dhe fuqizimin. Do të doja që një ditë të jem në të njëjtin nivel me to.
Nëse do të kishe mundësinë të ishe në një film aksion apo ndonjë film tjetër — cili do të ishte ai?
Po të kisha zgjedhjen, do të doja të luaja në: Wonder Woman, Zatanna, She-Hulk, Elektra (ose çdo film me gra të rrezikshme dhe fatale), apo edhe një film si James Bond. Çdo gjë me aksion dhe stunte – jam brenda!
Ndërkohë që po të shikojmë çdo fundjavë në televizion, shpresojmë të të shohim edhe në Shqipëri së shpejti. Ke ndonjë plan për të ardhur?
Faleminderit për mbështetjen! Faleminderit shumë! Mundohem të kthehem çdo vit në shtëpinë time në Shqipëri, por tani është pak më e vështirë për shkak të orarit të xhirimeve. Por, planifikoj të vij përsëri në verën e vitit 2025 – shpresoj të takohemi të gjithë atje!
©albanyac 05/2005
Post a Comment