ARSI BAKO dhe PRIT - një pop-shqip klasik, surpriza më e bukur e kësaj vere
Arsi Bako është një nga surprizat më të bukura të muzikës shqiptare të kohëve të fundit. E kemi parë të rritet në skenë – nga konkurrimet e para midis gjimnazeve, te daljet e saj në festivale të njohura si “Kënga Magjike” dhe “Festivali i Këngës”, ku gjithmonë ka ditur të lërë gjurmë. E njohur në qarqet muzikore të kryeqytetit, ku herë pas here shfaqet me performanca live, Arsi ka një qasje tjetër drejt suksesit muzikor. Ajo duket më e fokusuar te krijimtaria sesa te aspekti “komercial”, një zgjedhje e mirë, duke krijuar kështu një bazë të fortë për një rrugëtim sa më të gjatë e profesional, kundrejt një suksesi momental.
Ky rezultat duket qartë edhe në performancat e saja, të cilat, teksa gjithmonë mbresëlënëse, mbajnë në vetvete një vijë origjinale dhe të ndryshme nga njëra-tjetra, por pa i humbur identitetin si këngëtare. Kënga e saj e re “Prit” është një këngë perfekte dhe më e afërta në përkufizimin e asaj çka ne do ta quanim si pop-shqip. Një këngë që na bëri të fiksohemi që në momentin e parë dhe ta klasifikojmë si një prej krijimeve më të mira të këtij viti. Me një vokal fantastik dhe rrugëtimin e ri si kantautore, Arsi është “the one to watch”.
Elbino: Arsi, urime! Jemi të fiksuar pas këngës suaj të re “Prit”!!!
Si erdhi ky ndryshim total në këtë këngë? Në look, në ritme, në tekst — ju vini më e gëzuar, më e sigurt, më e lirë. Duket sikur keni gjetur vetveten…
Arsi Bako: Dua t’ju falenderoj së pari për intervistën dhe më vjen shumë mirë që kënga është pritur kaq bukur dhe që ka pasqyruar këtë lloj ndryshimi tek unë, përsa i përket edhe perceptimit të publikut. Me thënë të drejtën, nuk është një ndryshim për të cilin unë vendosa që do të ndodhte, por më tepër diçka që erdhi natyralisht. Unë nuk preferoj, në fakt, që t’i futem një projekti të ri me ide të qarta, ndaj edhe vetë shpeshherë surprizohem me produktin final. Me këngën “Prit” ka qenë një surprizë shumë e këndshme dhe e kam shijuar plotësisht të gjithë procesin.
Kënga na kujton pak pop-rock të viteve ’90. Keni qenë e influencuar nga ndonjë artist, periudhë muzikore në përgatitjen e përzgjedhjen e kësaj kënge?
Baza mbi të cilën është punuar kënga, është nga Klodi Rexhepaj, producenti i saj, i cili realizoi një këngë kaq të bukur dhe i dhuroi një nivel kaq profesional këtij projekti, së bashku me Marin Hoxha dhe Arbër Koçllari. Një ekip pune i plotësuar, me të cilin kisha fatin të punoja. Më pas këngës iu vesh një videoklip po aq i mirë-realizuar nga Enis Çela, të cilin gjithashtu e falenderoj pa masë. Klodi ma tregoi si material dhe mua më pëlqeu së tepërmi që me dëgjim të parë, duke qenë se vinte e freskët dhe energjike. Ndaj, s’mund të them se ka patur një inspirim specifik, të paktën jo nga ana ime. Gjithmonë përpiqem që mënyrën se si do të zhvillohet teksti dhe melodia ta përngjis me materialin që më jepet.
Ju keni vite që aktivizoheni në skenën muzikore shqiptare, pavarësisht se publiku ju njeh më së miri nga prezantimet tek “Kënga Magjike”. Mund të na bëni një përshkrim të shkurtër të karrierës suaj? Si nisët me muzikën, momenti që vendosët që do ishit pjesë e saj dhe disa prej aktiviteteve më të rëndësishme ku keni marrë pjesë?
Muzikën e kam patur qejf që e vogël, në sensin që e shijoja pafund dhe filloja të kërceja me ritmin e parë që më kapte veshi. Për të kënduar gjithashtu kam patur gjithmonë dëshirë, por ishte diçka që e zhvilloja më shumë me veten time në fillim. Më pas, duke e kultivuar si pasion dhe duke marrë më tepër siguri në vetvete, vendosa të marr pjesë në “TiranaArtFest”, kompeticion ndërmjet gjimnazeve, ku fitova nga një çmim për çdo vit, ndër to edhe një çmim të parë. Tek ky kompeticion fitova dhe bindjen e familjes sime mbi këtë pasion që kisha marrë përsipër ta realizoja më seriozisht. Që këtej e tutje, ata kanë qenë një mbështetje jashtëzakonisht e madhe për mua dhe jam me fat për këtë. Më pas, pika kyçe të karrierës sime u bënë pjesëmarrjet në kompeticione kombëtare si “Kënga Magjike” dhe “Festivali i Këngës”. Një tjetër pikë kulmore ishte dhe ndarja e skenës me Eugent Bushpepën, këngëtar të cilin e admiroj dhe kjo qe një ëndërr për mua.
Ndërkohë, vjet keni publikuar një album Bridges, i tëri në gjuhën angleze. Çfarë mund të na tregoni rreth këtij albumi?
Një projekt kaq i bukur dhe kaq i sinqertë, i cili më ka përmbushur në mënyra që nuk besoj se diçka tjetër do të arrijë ta bëjë. Çdo këngë në këtë album ka një tematikë të veçantë dhe në fakt edhe rryma të ndryshme të përfshira. Është i punuar me një thjeshtësi e cila, sipas meje, e bën secilën këngë shumë më të afërt me dëgjuesin.
Ky album ka nevojë për një promovim të mirë, sepse keni bërë një punë të mrekullueshme — për shembull Home Sweet Home është ufff… super! Rrënqethëse. Ju cilën këngë do të veçonit?
Është e vërtetë në fakt, unë ende nuk po gjej dot mënyrën për ta sjellë më afër publikut këtë album. Ju falenderoj që ndaluat tek kjo temë, sepse e meriton vëmendjen ky projekt kaq i bukur. Për momentin, albumin mund ta gjeni në Spotify dhe disa platforma të tjera. Ndërkohë unë po punoj dhe për publikimin e tyre në YouTube me video-lyrics.
Më vjen shumë mirë që keni veçuar Home Sweet Home, sepse edhe unë atë e ndjej më afër vetes sime. E dyta pas saj për mua është You Fade Away, pasi rryma disi orientale e saj e bën kaq të veçantë dhe sikur të tërheq me vete të lëvizësh me të.
Në Bridges ju keni bashkëpunuar me Eridën, një artiste shumë e veçantë. Më pëlqen shumë La pluie tombe nga EP-i i ri i saj Coeur à nu. Si ndodhi ky bashkëpunim?
Erida është një person me pafundësisht shumë vlera. Ndihem me fat që kam patur mundësinë të punoj me të dhe që kam qenë zëri i disa prej krijimeve të saj. Ajo është vërtet një artiste e veçantë dhe kjo vjen nga fakti që ajo dëgjon vetëm zemrën e saj dhe kur e ndjen se diçka duhet bërë, e realizon pa ngurrim. Urën ndërmjet meje dhe Eridës në fakt e krijoi halla ime, regjisorja dhe aktorja kaq e talentuar, Suela Bako. Njiheshin të dyja nga gjimnazi por ishin shkëputur prej një kohe të gjatë. Në një nga postimet e hallës, Erida kishte hasur zërin tim dhe u afrua për një bashkëpunim. Me dëgjim të parë, mua më ngjiti shumë puna e Eridës dhe vendosëm të realizonim albumin, i cili ndërtoi vërtet shumë ura ahahahaha (Bridges). Albumi është realizuar ndërmjet Tiranës dhe Gjenevës, Shqipërisë dhe Zvicrës, si edhe ndërmjet më shumë se një mendjeje krijuese. Kam patur fatin të qëndroj dhe të luaj me miq të tjerë artistë të Eridës, të cilët i falenderoj pafund, sepse arritëm të realizojmë dy koncerte falë gatishmërisë dhe dashamirësisë së tyre për të bërë gjëra kaq të bukura. Janë përjetime dhe kujtime që nuk do t’i harroj kurrë, por pse jo të përjetojmë dhe krijojmë së bashku me Eridën disa të reja në të ardhmen.
Se harrova unë… Si nuk të futën në finale me “Më mbaj”?! Si u ndjetë në ato momente? Kjo pjesa e eliminimit në festivale, kur duket qartë që kënga dhe interpretimi janë super, por… skualifikohet. Si e përballoni?
Unë u ndjeva shumë e lumtur dhe e vlerësuar edhe me aq sa arrita për daljen time të parë në Këngën Magjike, ndaj as nuk u mërzita. Kam marrë komplimenta të shumta për atë këngë dhe kjo për mua është një arritje më vete.
Gjithsesi, ju u rikthyet vjet fuqishëm me “Dua…Dua…Dua”, një prej këngëve dhe performancave më të mira të edicionit, çka na bën të pyesim… a do të jeni pjesë e festivalit këtë vit?
“Dua… Dua… Dua…” është një këngë e cila do të shënjojë gjatë në karrierën time muzikore, duke qenë se ka një peshë të madhe. Punuar nga i madhi Adi Hilaj, jam e lumtur që tashmë e kam një këngë kaq të fuqishme në repertorin tim dhe shpresoj që ajo ta ruajë vlerën e saj edhe me vitet që do të vijnë. Në fakt, këtë vit nuk do të jem pjesë e festivalit. Vendosa t’i kushtoj më shumë vëmendje këngës “Prit” këtë verë, duke i bashkangjitur asaj edhe videoklip, gjë që më parë nuk e kisha realizuar.
Ndërkohë, e dimë që do të jeni së shpejti në një shfaqje tek Tuneli… Mund të na jepni ndonjë detaj më specifik? Sepse patjetër do të jemi aty.
Siç edhe titulli dhe dresscode lënë të kuptohet, do të jetë një mbrëmje dedikuar muzikës dhe artistëve të viteve ’90. Mezi pres të vijë në jetë edhe ky projekt, sepse më janë besuar këngë të cilat i kam shumë përzemër. Plus, kemi një bandë me artistë tepër të shquar, gjë që i shton akoma më shumë vlera eventit. Ju mirëpresim dhe shpresoj që të ketë sa më shumë audiencë, sepse vërtet do të jetë një Live Show për të mos u humbur.
Performanca që mbahen mend, një album emocional në anglisht, një këngë të re fiksim… duket se karriera juaj është në rrugën e duhur. Çfarë do dëshironit të realizonit në muajt e vitet e ardhshme?
Patjetër që dëshiroj të realizoj sa më shumë projekte të reja, pjesëmarrje në kompeticione të ndryshme. Dhe mbi të gjitha, dua të realizoj disa nga këngët që i kam shkruar dhe kompozuar vetë. Titulli i producentit është diçka që e kam me shumë interes për ta përfituar, por kërkon përkushtim, kohë dhe mund. Ndaj mendoj është pak më afatgjatë se projektet e tjera që do të ndërmarr. Çfarë mund t’ju them, është se gjëra të bukura po vijnë, dhe mezi pres t’i ndaj me të gjithë dashamirësit e muzikës!
Ne do vazhdojmë t’ju ndjekim, duke uruar që dëshirat t’ju realizohen dhe veç suksese!
Ju falenderoj shumë për këtë hapësirë të ofruar për artistët dhe për pyetjet kaq të përfshira në karrierën dhe rrugëtimin tim artistik!
Elbino © Albanyac 08/2025
Post a Comment