Pse ka frikë Simaku?
Ky është një shkrim i botuar në vitin 2003, pas një takimi mbresëlënës me Parashqevi Simakun në një lokal shqiptar në Nju Jork. Kisha kohë që e kërkoja dhe më në fund e gjeta të ruajtur në një DISKETË!!! (Dikush mund t’ua shpjegojë të lindurve pas vitit 2003 se çfarë është disket(a), lol.) Vendosa ta postoj jo sepse ndihem nostalgjik, por sepse po e lexoja dhe thashë: “Gjithmonë paskam qenë nonaaa!”, haaaaaaa. Se shkrimi është vërtet shumë i mirë dhe sjell një portretizim ndryshe të Simakut dhe (normalisht timin. Well, HELLO!) të “ngrirë” diku në kohë, si një moment i bukur që nuk duhet harruar.
Kushedi sa herë kam qenë në këtë zonë dhe prapë
ngatërrohem. Mesa duket sërish po vërtetoj se nuk jam dhe aq i mirë kur vjen puna për të mbajtur mend
emrat...qoftë edhe ato të rrugëve. Në fakt është pak ironike, sepse megjithëse,
Nju Jorku është një vend i rrëmujshëm dhe i zhurmshëm, rrugët janë shumë
simetrike dhe të rregullta, që i bën edhe më kollaj për ti gjetur, ndaj edhe
unë nuk mbaj ndonjëherë hartë me vete, megjithëse duket sikur sot po më nevojitet.
Sapo kam kaluar Wall Street, kam ecur për pak minuta dhe shoh se gjendem diku
midis rrugëve John dhe Fulton , në një shesh pak a shumë sa ai perpara
Universitetit të Tiranës, ku grupe njerëzish hyjnë e dalin nga dyqanet pa
ndërprerje. Pak më larg gjendet porti, një tjetër zonë e mbushur me dyqane e
restorante buzë oqeanit, ku lundrojnë anije të shumta dhe përball meje shtrihet
gjigandshëm ura e Bruklinit.Eshtë ora 20:00 e mbrëmjes dhe unë jam duke kërkuar
restorantin “San Marino” në të cilin sot kam lënë për tu takuar me divën e
muzikës shqiptare Parashqevi Simaku. Që prej muajit Shtator, ajo këndon në
ambientet e këtij lokali çdo të shtunë mbrëma. Prania e këngëtares në këtë
restorant është pothuajse sekrete, në kuptimin që shumë pak veta e dinë se ajo
këndon aty, e unë e mora vesh rastësisht duke vizituar faqen e saj zyrtare në internet tek www.simaku.com (Të
cilën pak e dinë që sapo është hapur). Në të njëjtën kohë, vetë “San Marino”,
nuk njihet edhe aq shumë nga shqiptarët për faktin (Siç do të mësoja më vonë)
se ka vetëm gjashtë muaj që është hapur nën pronësinë e dy shqiptarëve Ranni
Ruli dhe Zamir Vejuka. Pasi u enda edhe disa minuta të tjera...në fakt gjysmë
ore, ja më në fund pranë një hoteli shikoj një shenjë me emrin e lokalit.
Bingo! Kur hyj brenda takohem me Albën një vajzë e këndëshme të cilës kur i
tregoj emrin më thotë “Oh yeah! Ne folëm në telefon already!”. Alba e ka fjalën për një javë më parë kur unë
telefonova për të biseduar me një prej pronarëve të këtij restoranti, që të
vendosja një takim-interviste me Parashqevinë. Ajo më tregon se instrumentistët
vijnë rreth orës 21:00 për të përgatitur “mini skenën” dhe veglat muzikore,
kurse Parashqevia vetë, vjen të këndojë diku rreth orës 22:00. Pra jam rreth
një orë e gjysmë herët...mmm. Ndryshe nga ç’mendoja, restoranti nuk është edhe
aq i madh.Ndoshta, sepse kisha në mendje idenë që këtu do të këndohet e
kërcehet, por megjithatë ambjenti është shumë i këndshëm, i qetë, dritat janë
në gjysmë ndriçimi,e si në çdo restorant tjetër te llojit “italian” edhe këtu
nuk mungon romantizmi. Kur e pyes Albën se ku ndërtohet skena ajo më tregon “
Aty ku je ti.Right there!”.Kjo e përzjerë e shqipes me anglishten, të cilës unë
i them anglipe, është mëse normale për shqiptarët e Amerikës. Ndërkohë prezantohem
me Zamirin i cili në bisedë e sipër më tregon se Simaku s’para i ka qejf
intervistat; ”Të them të vërtetën,” më thotë ai,”Një gazetare erdhi per t’u
takuar me të dhe ajo e ktheu mbrapsh”. Pavarësisht nga fjalët e tij, sërish
isha i bindur se do ta intervistoja Parashqevinë,duke qenë se në ato momente mu
kujtuan fjalët e Rannit, pronari tjetër i San Marinos i cili më kishte thënë në
telefon me shumë bindje “Hajde pa problem!”,
kur i tregova se doja të intervistoja Simakun. I përshëndeta të dy, dhe
u largova nga lokali për t’u rikthyer rreth orës 21:30. Ka filluar të bëjë
ftohtë, dhe ndoshta është një përshtypje qe e kam vetëm unë, por amerikanët
janë si të uritur për festa. Imagjinoni, është akoma fund Nëntori dhe dritat e
Krishtlindjeve i gjen ngado. Bredhat e zbukuruar mbushin vitrinat e dyqaneve
dhe njerëzit blejnë pafundësisht në këtë periudhë që njihet nga amerikanët si
“sprinti 27 ditor i pazarit”. Ulem të pij një kafe, ndërkohë që në një dyqan
suveniresh ngjitur me kafenenë, midis të tjerash shiten edhe flamuj të vegjël
shqiptar. Ndonjëherë mendoj se kemi rënë kaq “poshtë” moralisht si komb, sa
edhe gjëra të tilla na falin kënaqësi.
Këte herë kur kthehem në restorant, Ranni ka
mbërritur.Ai vjen më takon, ulemi të pijmë një birrë (Oh po! Unë lejohem të pij
alkol gjatë orarit të punës hahaha!) është me të vërtetë shakaxhi dhe
mirëpritës,e më tregon që e lexon “Spekterin” në internet (www.spekter.com.al),
ndërkohë që më prezanton me njërin prej instrumentistëve që do të interpretoj
së bashku me Parashqevinë këtë mbrëmje, i cili quhet Maks Vathi. Maksi ka mëse
dhjetë vjetë që është larguar nga Shqipëria ku ka pas qenë pedagog në
“Konservatorin e Tiranës”. E ka vizituar Tiranën disa herë gjatë viteve të
fundit, e ka kohë qe mendon se ndoshta është ngopur me Amerikën e është koha të
kthehet në vendin e tij. “Në fillim kam vuajtur shumë.” më tregon,e tek unë i
përgjigjiem “Fillimi është i vështirë për të gjithë.”më thotë,” Unë kam vuajtur
për tre vjetë rresht,aq sa mu desh të shikoja edhe psikologun.Falë këshillës së
tij j’u riktheva pasionit për muzikën e cila më riktheu në vetvete.Kur pronari
i dyqanit ku bleva klarinetën më dëgjoi të luaja në instrument, erdhi më takoi
menjëherë i çuditur. E kur i thashe se ku kam pas punuar i shtangur me pyeti “E
çfarë bën në Amerikë?”.Amerikanët thonë që njeriu gjen lumturinë kur gjen se
çfarë do të bëj në jetë.Dhe unë këtë lumturi e gjeta në Shqipëri që në moshë të
vogël, fale pasionit për muzikën, po Amerika na afron komfortin që s’e gjejmë
dot në vendin tonë ndaj edhe bëjmë këtë zgjidhje...”. Eshtë për të ardhur keq
kur e dëgjon një gjë të tillë. Në fakt unë jam disi xheloz, kur mendoj sesi
instrumentistë apo këngëtarë kaq të talentuar e kaq të njohur në Shqipëri
detyrohen për hatër të pasionit apo komfortit të jetesës të interpretojnë
përpara një publiku kaq të vogël i cili në fakt shpesh herë nuk e kupton se sa
speciale është një nga këto netë. I të njëjtit mendimi është edhe Maksi,
“Parashqevia është një këngëtare shumë e mrekullueshme, ajo duhet të këndojë në
stadiume e salla të mëdhaja”. Më vonë një tjetër instrumentist Binak Elezi, i
cili ka mbaruar Artet e Bukura në Tiranë në degën e kompozicionit, e që për
vite ka drejtuar Estradën e Kuksit, ulet në tavolinën tonë për t’ju bashkuar
bisedës. Ai i bie fizarmonikës dhe organos, kurse Maksi klarinetes,saksit dhe
fyellit.Edhe Binaku ka mëse dhjetë vjet që jeton larg Shqipërisë dhe në mërgim
ka interpretuar për shumë këngëtarë të njohur në aktivitetet e ndryshme festive
të komunitetit shqiptar, për më tepër ai sapo ka marrë edhe të drejtën për të
dhënë mësime muzike në Amerikë. Kur i degjoj të flasin për muzikën dhe
aktivitetet në të cilat kanë marrë pjesë, më bëhet akoma edhe më shumë qejfi që
sot do të kem mundësinë të shikoj një “koncert” i cili për nga cilësia... besomëni
nuk ka te vlerësuar.
Për një moment kam harruar se sa është ora dhe
çuditem kur mësoj se ka vajtur rreth 22:30, ndaj dhe më zë frika se mos
Parashqevia ka anuluar koncertin e sotëm, por qetësohem kur mësoj se
bashkëshorti i saj është këtu. Robert Nolfe, të cilin shumica e shqiptarëve e
kanë parë në një prej edicioneve të fundit ne “Festivalin e Këngës në RTVSH” ku
Parashqevia ishte e ftuar nderi. Ai është pak a shumë i njëjti edhe në person.
Pasi përshëndet instrumentistët e tjerë, prezantohemi me njëri-tjetrin, por
vetem kaq, sepse atij i duhet të filloj të pergatisi instrumentet dhe skenën ku
Parashqevia do të këndojë. Seç kam nje ide se Parashqevia nuk di gjë fare që
unë jam këtu për ta intervistuar...e them këtë,sepse Roberti merret zakonisht me
planifikimin e koncerteve dhe intervistave të saja, por ai nuk dha asnjë shenjë
reagimi për të më lënë që të kuptoja nëse kishte dijeni për prezencën time këtu
sot apo jo. Runni më thërret të shkojmë në dhomën ku Simaku është duke u bërë
gati për ta intervistuar.Në dorë ai mban një shishe vere të kuqe dhe ngjitemi
në katin e dytë të hotelit ngjitur me restorantin. Dera hapet, nga dhoma del
Parashqevia e cila ishte ende me bokutinat në kokë dhe në tavolinë gjenden nje
numër i madh pajisjesh për makiazh. Ajo është po aq e çuditur sa edhe unë e tek
Runni po na prezantonte, përsëriti disa herë në anglipe “Nuk mund të flas tani, I am not ready
yet...”, e unë u binda tashmë se ajo nuk kishte as më të voglën ide se kush dhe
përse isha unë aty, plus që tani që e mësoi, mund të ishte shumë mirë disi e
inatosur nga mënyra sesi u prezantuam. Mmmm! Kjo do të thotë, jo vetëm që
mundësia për të biseduar me të (sidomos pas këtij momenti) po bëhej mëse
inekzistente, por edhe shkrimi nuk mund të dalë ashtu siç unë e kisha menduar...Zbresim
poshtë, unë duke u përgatitur për një plan të dytë, e Runni duke më thënë “Ajo
është një këngëtare shumë e mirë...ndoshta nuk i pëlqen të japi intervistë, por
takoje njëherë më vonë”. Jeh! Tani mu hoq sikleti...hahahaha. Minuta më vonë, plani
im i dytë kishte marrë “jetë”. Ky plan konsistonte në shprehjen “E mori kalanë
nga brënda..” dhe në këtë rast i vetmi i brëndshëm i “kalasë” ishte Roberti,
bashkëshorti i Simakut. Ndërkohë që ai rregullonte pajisjet muzikore, unë i
afrohem duke ju prezantuar edhe njëherë si Elbino nga revista “Spektër”. I
tregoj se përse kam ardhur sot e që kërkoja disi ndihmën e tij për të biseduar
me Parashqevinë, pasi ndryshe nga çfarë kujtoja, ajo nuk është në dijeni për
këtë intervistë.Lajmi i mirë, Roberti është mëse i hapur për të më ndihmuar dhe
menjëherë më thotë që do të bisedojë me të, lajmi i keq? Ai nuk premton nëse do
të ja mbushi mendjen Simakut, sepse “...ajo nuk para jep intervista..”, por
Roberti më jep nje këshillë të vogël le të themi,...”Do të jetë mirë sikur të
bisedosh me të pasi të mbaroj
koncerti”.Problemi është që unë të nesërmen duhet të udhëtoj për të shkuar në
një tjetër qytet të Amerikës, për të përfunduar një tjetër intervistë e nuk e
di nëse do mund të qëndroj deri në fund të koncertit, por me sa duket do ish më
mirë...kështu. Ndaj e marr parasysh këshillën e Robertit, shtoi edhe
këmbënguljen apo kokëfortësinë time dhe kaq më mjafton për ti dhënë shpresa
vetes se orë më vonë misioni im do jetë plotësuar.”Tani më lejo te iki,”me
thote Roberti”,përpara se të me mbushësh mendjen të jap ndonjë informacion qe
nuk duhet...”.Jo se unë kam ndonje ankesë.HA! Tashmë tavolinat janë të
mbushura. Të gjitha me shqiptarë të veshur mirë, të cilët ndoshta është
thjeshtë përshtypja ime por duket sikur njihen me pronarët e restorantit, gjë
që tregon se nuk është hera e parë që vijnë këtu për të darkuar, e që
gjithashtu tregon se shqiptarët në emigracion nuk ndihen më të tillë
(emigrante). Eshtë vërtet këndshëm. Ndihem si në Tiranë, pasi jo vetëm klientët
apo pronarët, por edhe kamarjerët, banakjerja,kuzhinieri përfshi edhe
orkestrën...të gjithë këtu janë shqiptarë. Dera hapet dhe Parashqevia hyn
brenda, e veshur me një fustan të zi mbi të cilin ka vendosur një varse të
madhe ngjyrë bezhë-qumshti, flokët e zeza me pak onde shtrihen deri pas mezit,
e në dorë një gotë me verë të kuqe. I përshendet të gjithë me buzeqeshjen
karakteristike,i jep një të puthur Robertit e menjëherë merr mikrofonin për ti
thënë mirëmbrëma publikut e më pas fillon te këndojë, e kur këndon Parashqevia...të
gjithë e dimë që s’ka të ankuar. Ajo ende zotëron të njëjtat karakteristika të
cilat e bënë atë një ndër këngëtaret më të veçanta të muzikës sonë. Krijon një kombinim të këndshëm midis këndimit, kërcimit
të lehtë dhe personalitetit skenik. Jam ulur në një tavolinë prej ku shikoj
vetëm zonën ku Parashqevia dhe banda e saj qëndrojnë, por interpretimi dhe
rëndësia që i japin ata këtij koncerti të jep përshtypjen sikur po këndojnë
para dhjetra mijra vetëve. Ajo prezanton çdo këngë që këndon, të cilat janë
prej të gjitha trevave shqiptare, e kënduar më parë nga legjendat e muzikes
sonë si Marije Kraja,Tefta Tashko
Koço,Hafsa Zyberi,Vaçe Zela etj.Këto këngë në fakt janë brenda atij
origjinalitetit të muzikës shqiptare e cila kohët e fundit është përzjerë
fatkeqsisht me shumë ritme greke,
sllave, arabe për të cilat edhe vetë Parashqevia nuk ngurron te shprehet ore me
vone, se është kundra një përzjerjeje të tillë. Ka kaluar rreth gjysmë ore që
koncerti ka filluar dhe një pushim i shkurtër e lejon Simakun të takohet me të
gjithë të pranishmit, duke bërë fotografi e shkëmbyer komplimenta, por ne te dy
ende nuk jemi takuar ...e unë tashmë kam dëgjuar disa herë sesi Parashqevia nuk
do të japi intervista e nuk do të shkruajnë për të. Mendoj që pyetja e parë që
do ti bëj këngëtares, do ketë të bëj pikërisht me këtë çështje.Kush gazetar
duhet ta ketë mërzitur kaq shumë Simakun saqë e ka bërë atë ti ketë “frikë”
gazetarët aq sa edhe të mos iu afrohet
atyre? Kur ajo fillon të këndoj sërish, pas pushimit të shkurtër, nuk mund ta
fsheh dot që u mërzita disi. Mbi të gjitha, sepse mendoj të paktën një
përshëndetje do ishte mëse normale...Ndërkohë dy çifte të huajsh ulen në
tavolinën përpara meje dhe fillojnë të diskutojnë me njëri-tjetrin sesa bukur
këndon këngetarja, Parashqevia afrohet drejt nesh, këtë herë për të kënduar një
këngë të italianes Mina të cilën siç themi ne shqiptarët e “qau” fare.Në
përfundim të këngës ajo më përshëndet me dorë e nëpërmjet mikrofonit më thotë
“Hej!Spektri!”, në një mënyre të tillë që më bën të kuptoj se ajo nuk më paska
harruar. Në anën tjetër të lokalit pothuajse të gjithë shqiptarët janë çuar e po kërcejnë (Sidomos
nje djale me emrin Shemja te cilin Parashqevia e nxiste ne kercim me “Jepi
Shemja!”), atmosfera është bërë shumë e gëzueshme e uroj për një çast të kisha
miqtë apo familjen time këtu, por...ndoshta një herë tjetër. Një birrë e tre
vodka më vonë, kam humbur sensin e kohës, e në një tjetër pushim të
bandës...takohem me Parashqevinë. Biseda jonë fillon në shqip, vazhdon në
anglipe dhe përfundon në anglisht. Pasi e komplimentoj për interpretimin
Parashqevia menjëherë shpjegohet për takimin tonë të parë në dhomë. “Të më
falësh për më parë, sepse isha duke u përgatitur për koncertin dhe nuk dija se
kush ishit apo përse kishit ardhur.Nuk isha në një gjëndje për të biseduar me
bokutina në kokë..”, kur unë i them se sërish edhe me bokutina dukej e bukur,
ajo thotë faleminderit duke buzëqeshur. I bëj pyetjen time të parë në lidhje me
“frikën ndaj gazetarëve” , por ajo më tregon se nuk ka ndonjë frikë prej tyre,
thjesht nuk dëshiron të japi intervista, sepse nuk ka dhënë ndonjëherë, e
pastaj më tregon se asnjëherë nuk është ulur kaq pranë një gazetari më parë për
qëllim shkrimi apo interviste. “Shkruaj çfarë të dojë shpirti. Ti ishe këtu
gjatë tërë mbrëmjes, e pe vetë si dhe çfarë atmosfere u krijua.Shkruaj si ta
ndjesh vetë.”, këto janë fjalët e saj në lidhje me “misionin tim”. Ka kohë që
shumë lexues të revistës “Spekter” na dërgojnë letra apo imejlle, për të
shkruar diçka mbi Parashqevinë, e kur i flas për to, ajo nuk e fsheh se i bëhet
qejfi dhe shton se ka patur shumë oferta nga revista të ndryshme por thjesht i
ka refuzuar për arsyen e vetme “Unë nuk dëshiroj publicitet, sepse gjithçka që
bëj e bëj për pasionin tim karshi muzikës”.Ndoshta në shumë prej jush një gjë e
tillë do të tingëlloj pak si shumë modeste, por fjalët e saj janë shumë të
vërteta. Gjatë tërë koncertit, nuk mund të mos e vije re se me sa pasion dhe
seriozitet, Simaku investon në interpretimet e saj. I jepet tërësisht këngës e
për një moment të duket sikur gjendet në
një tjetër botë, siç ju a thashë edhe më parë, të krijohet përshtypja sikur ajo
është duke interpretuar përpara mijra vetëve. Disa herë më thotë që do ishte më
mirë të mos shkruaja gjë fare, e ndërkohë më pyet nëse dëshiroj të pij diçka,
biles kur i them se jo, insiston me të njëjtin insistim bujar që na
karakterizon ne shqiptarëve. Çuditem, sepse mendoja që mungesa e një pijeje në
dorën time do të ishte gjëja e fundit që do ti interesonte Parashqevisë, por
ajo papritur eshte shndërruar nga ajo “Diva” shqiptare në Parashqevinë e
përditshme dhe njëherë tjetër më përsërit se ky kundërshtim i saj në lidhje me
kerkesën për shkrim apo intervistë, nuk ka të bej me Elbinon (Ky jam unë nëse
nuk e keni vënë re ende) si person, por thjesht me mos preferencën e saj mbi
intervistat. Sidoqoftë, ne kemi hyrë në një bisedë e cila, ndoshta nuk ka marre
formën e një interviste të plotë, por është mjaftueshëm për të sjellë shumë të
reja për fansat e Parashqevisë. “Shumë, aq sa nuk e di se sa.Po albumi i ri do
të jetë gati në muajin Mars”, shton ajo pasi unë e pyes se sa albume ka
publikuar deri me sot.Nuk më tregon nëse bëhet fjalë për një album në anglisht
apo në shqip, por më premton se sapo puna të arrijë në fazën përfundimtare, do
të më njoftoj, për të qenë i pari që të publikoj këtë lajm.Eshtë vërtet e
çuditshme sesa albume në emër të saj janë publikuar piraterisht apo legalisht
(???) në tregun shqiptar-kosovar-maqedonas-diasporë.Në një kërkim të shkurtër
në internet do të gjeni cd apo kaseta muzikore me tituj të tillë si “Parashqevi
Simaku”,”Muzikë popullore nga Parashqevi Simaku”,”Parashqevi Simaku
Hitet”,Parashqevi Simaku-The best” etj, megjithatë ajo tregohet indiferente
“Për mua ka rëndësi që njerëzit kanë dëshirë të dëgjojnë muzikë...”.Thua të
jetë e të njëjtit mendim kur të mësojë se në Shqipëri ka këngëtarë të cilët
kanë shitur deri mbi 200.000 albume e
një shifër e përafërt është edhe shifra e shitjes së albumeve të saj? Pas pak
biseda midis nesh është bërë tepër miqësore, biles Simaku me jep dhe një të
puthur në faqe e mbrëmja s'ka ku të shkojë më mirë.Eshtë vërtet këndshëm të
shikosh një çift artistësh duke interpretuar së bashku në skenë, kur ja them
këtë ajo tregon se tashmë ka shtatë vjetë martuar me Robertin e jo gjithmonë ka
qenë diell dhe qesh kur shtoj se këto janë gjëra normale për çdo çift. Simaku
do me tregojë me vonë se babain e ka patur të shtruar në spital këtë muaj
(Nëndor) e i ka ndejtur tek koka së bashku me mamane e Robertin çdo ditë. Për shumë
shqiptarë kjo është mëse normale, por ju kujtoj që Roberti është amerikan, por
në fund të fundit ndoshta dhe Roberti “është” shqiptar..Ai është martuar me një
shqiptare, këndon këngë shqipe e surprizë!, ai flet shqip."Nuk është se ja
kam kërkuar unë " më
përgjigjët Parashqevia , ka qenë
dëshira e tij për të mësuar shqip në mënyrë që të mos ndihet i huaj në ambiente
me shqiptarë.Kur Roberti vjen në tavoline, ai flet pak për projektin e ri
(Albumin muzikor), që mesa shoh une, si ai si Parashqevia shfaqin një farë
"krenarie" artistike, që të bën të mendosh se ky album do të jetë
diçka shumë e veçantë.Nuk mund te mos them se habitem kur mësoj se Simaku
preferon Bjork,Portishead përkrah emrave te tjere si Billie Holiday,Sade dhe
Sarah Mclachlan.E nëse të gjithë e dimë se kush është Parashqevia, ju tregoj se
bashkëshorti i saj punon në një kompani që ka për klientë këngëtarë e grupe të
tillë si Sting,Rolling Stones,Madonna etj.Ata më premtojnë se përpara se të
largohem në fund të koncertit do të më japin mundësinë te dëgjoj disa këngë të
cilat janë ende në përpunim. Në një moment nga fundi i bisedës sonë Parashqevia
përmend se miku i vetëm i tyre është Stan Dragoti, regjisori i njohur me
origjinë shqiptare. Nuk mbaj mend sesi u lidh biseda dhe u permend emri i tij,
ndoshta kur unë e pyeta nëse e ka lënë Los Anxhelosin për Nju Jorkun e ajo mu
përgjigj se jetën e ka "të ndarë" midis këtyre dy qyteteve, ndoshta
në atë moment deshi thjesht të përmendte emrin e mikut te tyre i cili së bashku
me disa emra të tjerë formojnë krenarinë shqiptare në Hollivud.Oh! Edhe diçka
tjetër.Nëse gjatë këngëve që ajo këndon,Simaku shquhet për zërin e fortë, kur
bisedon me të zëri i merr një butësi të
ëmbël dhe të jep një farë kënaqësie kur e degjon tek flet. Ora ka shënuar katër
e mëngjesit.Duket disi e pabesueshme, se sa shpejt ka filluar e mbaruar
gjithçka e as nuk e ndjeva fare.Ndërkohë që Roberti ka vendosur në sfond disa
prej këngëve që mendohet të jenë në albumin e ri te Parashqevisë (Të cilat me
që ra fjala janë vërtet interesante dhe shumë larg këngëve të kënduara nga
këngëtarët shqiptarë.), njerëzit po largohen duke shkëmbyer komplimentet dhe
mirupafshimet e fundit.Eshtë koha të largohem edhe unë.Pas disa shtrëngime
duarsh, hipi në taksi e cila përshkon
gjithë Manhatanin, rrugët janë të boshatisura,qyteti që nuk fle duket sikur ka
rënë në gjumë, e tek mendoj këtë,si për të më vërtetuar të kundërtën grupe
njerëzish dalin nga klubet e natës të gëzuar.E shtuna “mbrëma” sapo ka
përfunduar...ndoshta diku tjeter, se në Nju Jork...në Nju Jork është gjithmonë
e shtunë.
Nga:Elbino
11/2003

Post a Comment