Header Ads

Krejt e thirrin Ibër Deari

 

 



Kinematografia shqiptare po përjeton një moment rilindjeje në këto dy vitet e fundit. Prodhimtaria e filmave në trojet shqiptare sa vjen dhe shtohet. Jo vetëm kaq, por tashmë ato po shfaqen edhe përtej kufijve, duke arritur një audiencë më të madhe, por edhe duke krijuar, si aksidentalisht, një farë plani menaxhues sesi do të “tregtohet” filmi shqiptar në të ardhmen. Një ndër arsyet e këtij suksesi dhe çka spikat në këto prodhime janë emrat e regjisorëve të rinj. Ata po sjellin jo vetëm një frymë të re në kinematografinë tonë, por edhe një këndvështrim tjetër të jetës shoqërore në vend.

Ibër Deari është një prej këtyre regjisorëve. Me filmin e tij të parë me metrazh të gjatë “Krejt e thirrin Rexhën”, Deari përcjell dy drama të shoqërisë sonë: largimin nga dhe qëndrimin në vendlindje. Teksa e para është disi e konsumuar si temë, e dyta është një gjetje interesante e cila akoma mbetet e paeksploruar. Janë pikërisht këto elemente dhe histori të tilla, të cilat duke e bërë publikun të gjejë vetveten në to, po e rikthejnë në sallat e kinemave.

Në këtë intervistë me Ibërin, ne ju zbulojmë diçka më tepër rreth regjisorit të talentuar si dhe filmit “Krejt e thirrin Rexhën”, i cili ka premierën këtë muaj në Tiranë.




Elbino: Everybody Calls Redjo po vjen në Tiranë. Po futemi direkt në temë që në fillim të intervistës. Ku do të ketë mundësinë ta shikojë filmin publiku i Tiranës dhe dy arsye të forta pse nuk duhet lënë pa u parë?


Ibër Deari: Everybody Calls Redjo këtë herë vjen në Tiranë si pjesë e TIFF (Tirana International Film Festival). Filmi do të jetë në garë me filma të tjerë dhe do të shfaqet më 25 shtator, ora 19:00, në Kinema Millenium. Ky film duhet parë, së pari sepse është një film shqiptar në gjuhën shqipe, me aktorë të njohur dhe me një temë shumë të rëndësishme, që prek edhe realitetin e Shqipërisë. Së dyti, sepse që nga janari e deri sot, filmi është shfaqur kudo dhe është pritur me shumë sukses nga publiku.


Filmi është shfaqur edhe në festivale të tjera të filmit në Europë. Si është është vlerësuar atje?


Ibër Deari: Nga festivalet më të rëndësishme ku ka marrë pjesë, veçanërisht vlen të përmendet Bari International Film Festival në Itali, ku filmi “Krejt e thirrin Rexhën” u shpall Filmi më i Mirë në kategorinë konkurruese Meridiana.
Ky është një nga festivalet më prestigjioze, dhe çmimi që mori e bën suksesin e filmit edhe më të veçantë. Publiku e priti shumë mirë dhe pati një lidhje të fortë me filmin gjatë shfaqjes.


Përveç festivaleve, vitet e fundit filmat shqiptarë kanë filluar të shfaqen edhe në kinematë ndërkombëtare. Everybody Calls Redjo do të vazhdojë shfaqjet në Gjermani, Belgjikë, etj. A ndodh kjo prej një menaxhimi më të mirë, apo prej prodhimeve më cilësore dhe kërkesave të publikut?


Ibër Deari: Ne si regjisorë apo filmbërës shqiptarë kemi një fat të madh me publikun shqiptar, sepse ai gjendet kudo në vendet evropiane. Vetëm duhet pak menaxhim dhe organizim, dhe shumë lehtë mblidhen shqiptarët për të parë një film shqip. Ata e duan çdo vepër në gjuhën shqipe dhe shpesh e bëjnë edhe për të na mbështetur.
Sigurisht, para së gjithash duhet të kesh një film të mirë, që komunikon me publikun. Ata duan të shohin diçka, të kuptojnë dhe të marrin një mesazh apo emocion. Pjesa tjetër është përkushtimi ynë si filmbërës, që duhet të menaxhojmë filmin njësoj si çdo art tjetër, me sa më shumë organizim dhe marketim.




Kush është Ibër Deari, personi kryesor pas Everybody Calls Redjo?


Ibër Deari: Unë jam regjisor filmi nga Kumanova, Maqedonia e Veriut. Kam mbaruar akademinë e filmit dhe vazhdimisht kam realizuar projekte, disa herë me buxhet e shumë herë edhe pa buxhet. Dashuria për kinemanë është diçka e veçantë për mua. E dua filmin, e dua të shikoj filma dhe të krijoj filma.


Ju keni realizuar rreth nëntë filma me metrazh të shkurtër, por ky është filmi juaj i parë me metrazh të gjatë. Si u ndjetë gjatë procesit të punës në krahasim me prodhimet e mëparshme?


Ibër Deari: Besoj që filmat e shkurtër më kanë ndihmuar të mësoj pak nga filmi, kuadrimin, gjuhën vizuale. Por filmi i gjatë ka qenë një fushë krejt tjetër, një luftë tjetër dhe një përgjegjësi shumë e madhe. Filmi i gjatë dallon shumë nga ai i shkurtër. Në filmin e shkurtër gjithçka e ke në kokë, ndërsa në filmin e gjatë nuk është aq e lehtë të përqendrohesh. Ka një ekip shumë më të madh dhe një ngjarje shumë më të madhe. Është një provë e vërtetë për një regjisor, sepse aty shihet nëse je gati të mbash një histori të madhe në shpinë dhe ta çosh deri në fund.


Fakti që ju jeni regjisor, skenarist, kinematografist dhe producent, besoj që ndihmon më së miri në realizimin sa më perfekt të një filmi nga skenari në realitet. Ndodh kjo përfshirje e juaja sepse jeni pak si perfeksionist si person apo sepse vështirësitë e tregut kinematografik vendas ju detyrojnë të bëni “gjithçka” vetë?


Ibër Deari: Në vendin tonë, filmi funksionon ndryshe nga ajo që shohim tek të tjerët. Së pari mungojnë ekipet, së dyti mungon edhe pasioni për të bërë film. Vetëm pak njerëz janë vërtet të dashuruar pas filmit, shumica e shohin thjesht si punë. Ata që e shohin edhe si punë edhe si dashuri janë shumë të rrallë.
Sigurisht, një regjisor duhet të dijë gjithçka rreth filmit, nga puna e kamerës, muzika, montazhi, e deri tek pjesa e marketingut. Nuk është çështje perfeksionizmi, por e një realizimi të veçantë, ku duhet të jesh gjithmonë në hap me kohën.




A ekziston Sllupkovo në të vërtetë?


Ibër Deari: Jo, Sllupkova është një fshat fiktiv, i krijuar nga kombinimi i dy fshatrave të vërtetë: Sllupçan dhe Likovë. Arsyeja është e thjeshtë: për të mos mbetur shumë i lokalizuar. Si “Sllupkova”, ky vend flet më gjerë, përtej një fshati me një emër real.


Po historia e filmit, a është bazuar në një ngjarje të vërtetë? A më mirë këtu apo atje? Si do përgjigjej Redjo?



Ibër Deari: Historia ka shumë situata të vërteta. Edhe karakteri është i vërtetë dhe ende sot vazhdon të punojë si i vetmi punëtor në fshatin Sllupçan. Por lidhja e ngjarjeve në film ka shumë pjesë fiktive. Rexho i vërtetë nuk dëshiron të ikë nga vendi, ndërsa ai i filmit… besoj se të gjithë ata që e kanë parë, e dinë fundin.


Filmi është në shqip, po titulli përse në anglisht?


Ibër Deari: Titulli në shqip është “Krejt e thirrin Rexhën”, dhe kështu e prezantoj gjithmonë kur jemi në kinematë shqiptare. Jashtë përdorim titullin në anglisht. Megjithatë, shumë postera kanë mbetur në rrjete sociale me titullin anglisht, ndoshta për shkak të marketingut ndërkombëtar.


Ndërkohë jeni duke xhiruar Through the Frame. Çfarë mund të na tregoni rreth këtij projekti?


Ibër Deari: Ky është një film i shkurtër dhe mund të shihet si një paralel me filmin e Rexhës. Nëse Krejt e thirrin Rexhën flet për ikjen e të rinjve dhe njerëzve nga fshati, Through the Frame tregon një pjesë tjetër të realitetit: jetën e grave që kanë mbetur aty, pasi burrat kanë ikur jashtë në kurbet.




Ndonjëherë filmat e shkurtër janë aq mbresëlënës sa që shërbejnë edhe si një ide për realizimin e një filmi me metrazh të gjatë. A mund të ndodhë kjo me ndonjë prej prodhimeve tuaja? Psh. mendoj që Toka e meriton të jetë një film me metrazh të gjatë.


Ibër Deari: Po, ke të drejtë. Çdo film me metrazh të shkurtër besoj se ka brumin për t’u bërë i gjatë. Edhe filmin Toka kam dashur më herët ta bëj film të gjatë. Por tani, në moshën ku jam dhe me shoqërinë moderne që sjell probleme të reja, ngjarjet si “toka” apo  gjakmarrja duken pak jashtë mode për kinemanë e sotme. Prandaj unë jam i fokusuar vetëm tek problemet shumë aktuale. Për të ardhmen, nuk e di.


2024–2025 kanë qenë dy vite të suksesshme për kinematografinë shqiptare. Ka pasur një rritje të konsiderueshme në prodhimtarinë e filmave shqip.


Ibër Deari: Mendoj se pandemia e ndaloi shumë kinemanë dhe prodhimin e filmave. Pastaj, si përnjëherë, dolën shumë filma. Jam i lumtur që kam parë kaq shumë filma në gjuhën shqipe. Përveç atyre që financohen nga shteti, shihet se ka edhe një numër të madh filmash privatë, të realizuar me para private. Kjo është gjë e mirë — sa më shumë filma, aq më shumë përvojë.




Si e shihni të ardhmen e kinematografisë shqip, por edhe të ardhmen tuaj në kinematografi?


Ibër Deari: Kinemaja dhe arti i krijimit të filmit po ndryshojnë shumë, dhe për ne shpesh është e vështirë të japim një mendim për të ardhmen e filmit shqip apo edhe për veten tonë si krijues. Unë vetëm shpresoj për një gjë: që filmat të vazhdojnë të prodhohen dhe të shikohen në këtë formë siç i shohim sot — në KINEMA.


Faleminderit për intervistën dhe duke ju uruar suksese të mëtejshme, shihemi në kinema!


Elbino © Albanyac 09/2025





  Krejt e thirrin Rexhën


  Viti i prodhimit: 2025
  Koha: 126 minuta
  Zhanri: komedi, dramë
  Regjisor: Ibër Deari
  Skenarist: Ibër Deari, Artin Selmani


Në rolet kryesore: Afrim Mucaj, Adriana Matoshi, Lewdion Mulaki, Bereda Reshit, Adema     Karaga, Mirsad Abazi.


    Filma të tjerë nga Ibër Deari

Antigona

Krejt e thirrin Rexhën

Takimi

Libri i Sarës

Farmer’s Blues

A Long Way Home 2

Toka

Britmat e qytetit tim

Rrëfimi i fundit 2

MPF: Parajsa dhe Ferri




No comments

Powered by Blogger.