Header Ads

Ereza nuk krijon vetëm për veten...

 




...dhe nëse pyesni se pse kemi vendosur këtë titull, arsyeja qëndron te fakti që kjo është një prej gjërave më të rëndësishme që një artist duhet të kuptojë që prej fillimit të karrierës së tij. Në momentin që muzika jote bëhet publike, ajo nuk është më e jotja, është e të gjithëve. Sigurisht, çdo artist krijon bazuar në eksperiencat personale, por nëse ato nuk rezonojnë me publikun që i dëgjon, atëherë çfarë kuptimi do të kishte?Kjo gjë ndodh shpeshherë në karrierën e artistëve, sidomos në tregun tonë, duke justifikuar krijimtarinë e tyre nën “petkun artistik”. Po bëjnë art! Por arti për kë bëhet? Për kritikët apo për publikun? Të kuptosh dhe të respektosh idenë se muzika jote jo vetëm ofrohet, por edhe kurohet që t’i përgjigjet shijeve dhe kërkesave të dëgjuesve të tu, është një prej faktorëve kryesorë që ndikojnë në suksesin e një talenti.Ndaj na pëlqeu kjo përgjigje e Erezës, e cila filloi të bëhej e njohur në tregun muzikor shqiptar me këngën “Xhelozia”, e më pas me “A kishe guxu?” dhe së fundmi me “Sajzeza”. Këto këngë e vendosën atë menjëherë në fronin e muzikës R&B shqip dhe si një prej talenteve të reja më të preferuara nga ne në Albanyac. Në këtë intervistë ajo flet rreth krijimtarisë së saj, këngës së re “Limbo”, EP-së së ardhshme dhe planit për shfaqje në vendlindje.



Elbino: Ereza, përshëndetje! Ku gjendeni në këto momente dhe me çfarë jeni duke u marrë?

Ereza:Përshëndetje!:)Këto ditë të ftohta po i kaloj më shumë në shtëpi, po krijoj muzikë të re, po eksploroj ide të reja, po e marr çdo ditë ashtu siç vjen... Është një stinë reflektimi dhe krijimi për mua, pas një vere me shumë ngjarje.

Në “Albanyac”, kënga juaj më e re “Sajzeza” është një prej këngëve më të klikuara të javës. Si po pritet nga publiku?

Po ecën shumë mirë deri tani! Meqë është një këngë me vibe më të errët e misterioz, nuk isha e sigurt a ka me e pëlqy audienca si këngët e tjera, por u ndjeva shumë e lumtur kur pashë sa shumë zemra po ndihen të lidhura me të.




Ky vit ka qenë i mbarë për ju artistikisht. “A kishe guxu?” jo vetëm që u bë virale në rrjetet sociale, por edhe bëri emrin tuaj më të njohur në qarqet artistike shqiptare. “Sajzeza” po vazhdon këtë sukses, duke parashikuar që 2026 të jetë viti juaj…

Ahh, faleminderit shumë! Shpresoj që të jetë ashtu! Kam disa gjëra që du me i arrit vitin tjetër. Të shikojmë çka jeta ka planifikuar për mua në vitin tjetër.

E mesa kam mësuar, nuk keni fansa vetëm në Shqipëri. Disa artiste të njohura koreane gjithashtu kanë shpërndarë këngën tuaj, si Wonyoung nga IVE apo Joy nga Red Velvet. Si ju bën të ndiheni ky sukses përtej kufijve?

Wow… veç kur po mendoj për veten në 2015, kur isha fanse e madhe e K-pop-it… haha, s’e kisha besu kurrë që këngëtarët që po i dëgjoja atëherë një ditë do ndanin këngën time???!! Crazy feeling. Jam aq shumë mirënjohëse, sa mund të shpërthej në lot (gëzimi)!!!

Si fanse e K-POP, cilat janë këngëtaret/grupet tuaja të preferuara?

K-pop-i gjithmonë m’ka inspiru, prej koncepteve të ndryshme të çdo “era”, te koreografitë e stilet e tyre… Dy grupe që gjithmonë i kam dasht dhe e bëjnë këtë super mirë janë Mamamoo dhe Red Velvet. Për atë arsye u ndjeva edhe më e lumtur që Joy ndau këngën time! Aaahhh!!!

Cilët artistë jeni duke dëgjuar momentalisht? Apo cila është kënga që po dëgjoni më së shumti këtë muaj?

Kohët e fundit po dëgjoj shumë këngë chill që i përshtaten sezonit. Kënga që po e dëgjoj më së shumti këtë muaj ndoshta është “Strawberry Bubblegum” nga Justin Timberlake. Ideja e një kënge që të jetë e gjatë ekzaktësisht 8 minuta… perfekt…!




Ndoshta shumë nuk e dinë, por ju keni mbi 11 vite që merreni me muzikë – fillimisht me cover-e të këngëve të ndryshme, e tani krijoni dhe këndoni këngët tuaja. Sa ka ndryshuar Ereza artistikisht gjatë këtyre viteve?

Oh, sa pyetje e bukur!! Atëherë nuk e kuptoja pse po krijoja muzikë, thjesht e bëja se e doja. Edhe pse kjo ende vlen, sot mendoj që kam gjetur më shumë qëllim brenda asaj që krijoj. Nuk krijoj vetëm për veten, por e kam parasysh edhe “the bigger picture” dhe kuptoj që muzika mundet me prek diçka më të madhe se unë. Besoj që jam bërë pak më e vetëdijshme për përgjegjësinë që ka një artist sot.

Teksa shikoja videot tuaja në YouTube, më pëlqeu shumë versioni juaj i “Riot” nga Summer Walker… dhe mendoj që ai ishte momenti kur Ereza mori atë profilin artistik të këngëtares që dëgjojmë sot. A ja kam qëlluar?

Haha, po! Ato cover-e ishin definitivisht më afër stilit që m’pëlqen edhe sot. Edhe pse shumë më herët kam ndjerë se cilat zhanre më përshtaten më shumë, atë vit 2019 gjeta një vibe që e dija që du me e mbajt në muzikën time.

E më pas, Ereza – si përfaqësuesja kryesore e R&B shqip të brezit të ri – mori rrugën e saj. Teksa ka pasur këngë R&B shqip këtu-aty, nuk kemi pasur asnjëherë një këngëtare specifike në këtë zhanër, dhe na bëhet shumë qejfi që më në fund ju e sillni këtë zhanër në tregun shqiptar...

Faleminderit shumë! Më vjen shumë mirë që rezonanca ka qenë aq pozitive. Më bën të ndihem akoma më e lumtur kur mësoj që muzika që unë dua të krijoj sa më natyrshëm ka gjetur audiencën e duhur. Mendoj që është një prej atyre rasteve të bukura ku dëgjuesi dhe artisti e kërkojnë dhe gjejnë njëri-tjetrin.




Çfarë instrumentesh muzikore dini të luani?

Nuk mund të them se di të luaj shumë mirë në ndonjë instrument, por di me i luajt pak kitarën e pianon, që i kam mësu vetë. Kam luajt edhe violinë për disa vjet. Ndonjëherë mendoj nëse duhet t’i rikthehem… Do kisha shumë dëshirë të përfshija më shumë instrumente me tela në këngët e mia të ardhshme.

Në një postim tuajin “Çfarë ka në çantën time”, nuk mundëm të mos vinim re që kishit një “love letter” të cilën nuk e keni dërguar askund… Kush ia theu zemrën Erezës dhe sa këngë keni kompozuar nga kjo lidhje? :)

Ohh, observim shumë i mirë! Ai “love letter” në fakt ishte për një person që s’e njihja atëherë. Për një “future lover”, si me thënë, prandaj s’e kisha dërguar akoma…Po sigurisht që edhe zemërthyerja është pjesë e shkrimit të këngëve të mia, ndodhet aty diku, por nuk është domosdoshmërisht burimi kryesor i inspirimit tim. Më shumë sesa zemërthyerja, është melankolia që më inspiron… muzikalisht! Dhe historitë pak më dramatike, i duuuuua ato, ndoshta pse jam rrit me filma të Bollywood-it, ndoshta pse dhimbja mund të kthehet në diçka të bukur kur e transformon në tinguj e fjalë.

Ju jetoni në Gjermani, apo jo? A po tentoni të prezantoheni edhe në tregun muzikor gjerman apo edhe atë europian? A është diçka e tillë në planet tuaja?

Po, ende jetoj në Gjermani, por deri tani nuk kam pasur shumë interes me u fut në atë skenë muzikore, ose ndoshta thjesht kurrë nuk e kam mendu seriozisht. Megjithatë jam e hapur për diçka të tillë nëse ndodh! Besoj që do e gjej vendin tim në industrinë e muzikës në mënyrë natyrale, kudo që të jetë.

Po për një album të plotë? Kemi nevojë për një album tuajin!

Ahhh, albumi. Kam disa kohë që punoj për këtë projekt. Si artiste e pavarur (shkruaj, kompozoj, regjistroj, bile edhe miksimin, masterin dhe marketimin e muzikës e bëj vetë). Krejt kjo merr më shumë kohë. Stili im artistik edhe zëri im vazhdojnë të ndryshojnë. Këngë që kam bërë dy vjet më parë nuk më përshtaten më me atë çka dua të shpreh sot. Ndoshta këtë jam duke mësuar tani; që thjesht ta publikoj një projekt e mos të rri të pres. Pra yeah, me dal albumi (ose EP-ja) është një prej pikave më të rëndësishme në “bucket list of my life”, kështu që sigurisht do vijë. Po e marr kohën me të, që të ndihem krenare, që edhe ju ta shijoni tamam.



Kënga juaj e re titullohet "Limbo“, në të cilën ju këndoni “po ti beson n’logjik e un besoj n’magji”. A jeni një “hopeless romantic”?

Omg, në fakt jom ma shumë një „hopeful romantic“ haha! Besoj shumë n’magji, n’bukuri, n’çdo gjë lovely, e me shumë shpresë!
Kjo është një prej bindjeve t’mia që s’ka ndryshu kurrë gjatë gjithë jetës sime. Çfardo qoftë… magjia, dashuria, bukuria, shpresa… janë kudo.


Çfarë mund të na tregoni më tepër rreth kësaj kënge që btw on repeat 🖤

“Limbo“ është një këngë pak ma eksperimentale se ato që kom publiku deri tani. Produksioni instrumental është prej TILLSTONE, që njihet për beat-et e tij shumë „ambiental“, ndërsa tekstin dhe produksionin vokal i kom punu vet. Sooo “Limbo“, si term, përshkruan një gjëndje të midisshme… dhe n’këtë rast, limbo krijon një qark t’përsëritshëm, ku ndihesh i bllokum, pa mujt me lëvizë përpara.
E shkruajtta këtë kënga gjatë një kohe kur u gjeta e ngujuar midis kwtyre vendeve të “midisshme” në shumë pjesë të jetës sime. Ishte fillimi i 2024, pra rreth dy vjetë më parë. Tani, masi e përfundova këngën, kuptova që unë kisha kohë që kisha dalë prej atij qqarku, pa e vërejtë as vet n’atë moment. Edhe kom kuptu me kohë që shpesh hyjmë n’limbo fiks atëherë kur jemi gati me u rrit, „level up“, si me thënë…E tash që po e publikoj, shpresoj prej zemre që kushdo që e dëgjon (sidomos nëse je dikush që ka mbet tu përsërit ato qarqe të pashëndetshme) me ditë që gjithmonë ka mënyrë me dalë prej atyne gjendjeve. Ëngjëjt e mi, dua t’ju jap shpresëI You got this!




E sigurisht, në fund të intervistës, nuk mund të rri pa ju pyetur: a do të kemi mundësi t’ju ndjekim nga afër në koncert në Prishtinë ose Tiranë, dhe kur?

Ky është qëllimi! Shpresoj shumë që vitin tjetër me pas mundësi me performu më shpesh, se është një energji aq e bukur me nda muzikën live me dëgjuesit e mi. E du skenën edhe m’ka marrë shumë malli për të. Jam tu u përgatit prej kohësh, veç para se me mbajt koncert, kisha dasht me pas një repertuar më të madh e më shumë këngë për me i këndu bashkë!

Elbino © Albanyac 11/2025

No comments

Powered by Blogger.