Header Ads

ANGUS DEI NUK EGZISTON - INTERVISTË

 

 



Në muzikë ekziston një rregull i ashtuquajtur “20 sekondëshi”, i cili konsiston në tërheqjen e vëmendjes së dëgjuesit apo spektatorit nga materiali apo artisti i prezantuar. Një tjetër rregull i pashkruar është edhe ai i “personit që të bën të kthesh kokën kur ai hyn në një ambient”, apo ndryshe i njohur si faktori X. Pavarësisht se duken sipërfaqësore, janë shumë të rëndësishme në përcaktimin e një talenti të ardhshëm. Sigurisht, të posedosh intuitën për të spikatur këto dy veti është gjë tërësisht më vete, por ata që e kanë, janë dhe vendimtarët e të ardhmes në tregun muzikor. Kjo nuk ka lidhje me suksesin e një artisti, por me evidentimin e talentit të tij. Se çfarë ndodh më pas, varet nga elementë të ndryshëm që përfshijnë menaxhimin, disiplinën, promovimin etj.

Këto janë dy elementet në të cilat edhe unë fokusohem kur shikoj një festival si “Kënga Magjike”, ku prezantohen talente të reja. E në një nga javët prezantuese, më tërhoqi vëmendjen Angus Dei. Duke filluar nga emri, veshja, sytë me dy ngjyra të ndryshme, e më pas prezantimi skenik, që për arsye që nuk mund t’i shpjegoj as vetë, më kujtoi disi Bonnie Tyler… ku di unë më? Por mjaftoi për të më fiksuar. Ndoshta ajo fuqi që Bonnie transmeton në interpretimet e saj dukej edhe te Angus Dei… por ky është efekti i faktorit X për të cilin shkruajta më sipër.

Më pas, në 15-20 sekonda, Angus Dei me zërin e saj pak të ashpër, pak të butë e melodik bëri që të interesohesha edhe në këngën “1000 vjet”. Në 20 sekonda transformime e kupton që ka një zë super, të cilin di ta përdorë. Dhe kështu, të dashur lexues, fillon interesimi dhe përcaktimi i një talenti që ka të gjitha premisat për të qenë i suksesshëm. E Angus Dei është një talent që kurrsesi nuk mund të anashkalohej, ndaj me mundësinë e parë vendosëm ta merrnim në intervistë. E nuk na zhgënjeu. Enigmatike, inteligjente, me humor, Angus Dei e ka shumë të qartë biznesin në të cilin ndodhet dhe është ashtu siç e mendova — cool af!

Shpresojmë që ta shohim në finalen e “Këngës Magjike”, sepse “1000 vjet” nuk është vetëm një këngë super, por edhe një këngë pop-rock shqip perfekte, të cilat kanë vite që i mungojnë skenës. “Mbi të gjitha, një nga ato këngë që, si të thuash, mishëron më së miri identitetin muzikor të festivalit ‘Kënga Magjike’.”


Elbino: Angus Dei, përshëndetje! Ku jeni në këto momente dhe me çfarë jeni duke u marrë?

Përshëndetje! Në këto momente jemi duke prodhuar këngën më të re në studio 😊

Është pak e çuditshme kur ju drejtohem si Angus Dei… sikur më tingëllon ndryshe. HA! E merrni shpesh këtë reagim?

Haha, po, e marr shpesh këtë reagim dhe zakonisht më duhet të bëj një shpjegim të gjatë për t’i qartësuar njerëzit.

 Agnus Dei është një shprehje religjioze që do të thotë “Qingji i Zotit” dhe vjen nga një citat I John… se rashë unë në “rabbit hole” tani hahahaha! Por, ju e shkruani Angus… mund të na e shpjegoni pak lidhjen e emrit?

Po, e saktë. Njerëzit kur më dëgjojnë emrin më thonë: “E ke gabim, është Agnus, jo Angus.” 😊Angus Dei është emri im artistik, një lojë fjalësh që sillet rreth termit fetar, por me një histori personale. Në rrethin tim më thonë që jam e urtë si qengj, pasi rrallë grindem me njeri. Shoqëria më thërret që e vogël “Angu”, prej emrit tim Angela, e kështu u krijua një lidhje intriguese mes Angu-t dhe qingjit të Zotit. Duket se më përshkruan shumë mirë edhe në raport me natyrën time spirituale. Por edhe unë i kam momentet e mia të një frymëzimi të errët, prandaj qingji im shpesh merr ngjyrë të zezë, për t’u larguar qëllimisht nga e zakonshmja dhe konformizmit.

Si hera e parë që ju prezantojmë në Albanyac, a mund të na tregoni pak rreth vetes dhe aktivitetit tuaj muzikor?


Unë nuk ekzistoj…

Artisti me të cilin po komunikoni është një engjëll paksa i zemëruar i Zotit, me frymëzim hyjnor por në mision tokësor. Është një akt që sjell një mesazh… Ky artist-avatar ka sy me ngjyra të ndryshme për ta parë botën në dy dimensione: herë të errët (siç është në të vërtetë), herë me doza të çelura optimiste për të justifikuar ekzistencën tokësore. Pikërisht në momentet që po flasim, po prodhohet një mesazh-këngë me titullin “ARUR”, që në hebraishten e lashtë përkthehet “I Mallkuari i Zotit”. Aty do të gjeni refrenin e përsëritur “Don’t Fake God” 😉

Keni një zë shumë të fuqishëm dhe gjëja e parë që mendova ishte: “Më në fund një këngëtare që mund të shpëtojë pop-rock-un në Shqipëri!” Jeni perfekte për këtë zhanër…

Nuk kam misione të tilla, pasi pop-i është tashmë i “shpëtuar” nga një falangë e paepur këngëtaresh dhe aspirantësh, ndërsa rock-u, për fat të mirë, është gozhduar në qivur me gozhdën e fundit — për t’u kthyer lugat në përjetësi… domethënë është i pavdekshëm!

 



Ndoshta do të duket pak klishe, por më jep pak Amy Lee vibe… që fiksim dmth. Po e kupton që po të sugjeroj fuqishëm të na sjellësh një këngë rock :)) Please?

Me Amy Lee më lidh vetëm formimi im si këngëtare lirike (Dark Classical Mezzosoprano) dhe vlerësimi i lartë për muzikën e Evanescence. Sa për këngë, aktualisht kam një mesazh në formë cover-i të këngës së Paramore “Ignorance”. Mos mendo se e kam zgjedhur rastësisht për muzikën 😉 sesa për titullin tepër aktual.

Nëse ti sjell një këngë rock, unë të siguroj performancën te Woodoo Rock në Tiranë — që do ishte gjëja më cool e vitit!

Është një dëshirë e vjetër e imja. Mundesh vërtet të ma realizosh këtë ëndërr?

Me shumë kënaqësi! U ba! Ju keni fituar vendin e dytë në Festivalin e Këngës në RTK me “Një zemër për dy”. Shumë këngë e bukur dhe një performancë super! Ishte edicioni i parë dhe hera juaj e parë në këtë festival apo jo? Si ju bëri të ndiheni ky vlerësim?

Po, ishte hera e parë. Edhe ngaqë ky ishte edicioni i parë i festivalit — kështu që morëm vendin e dytë. Më pëlqen numerologjia: kemi 1–2… le të presim ku do shfaqet numri 3.




E ndërkohë po merrni pjesë tek Kënga Magjike, ku spikatët si njëprej talenteve më të mira… si po ju duket eksperienca dhe konkurenca në këtë festival?

Ndihem si në një talent show. Mund ta pranoj këtë rol për aq kohë sa në këtë togfjalësh është edhe fjala talent, një cilësi shumë e kërkuar, pasi ka mungesa në furnizim. Konkurrimi aty varet nga plot gjëra, ndoshta jo të gjitha të natyrës muzikore.

A do të ketë video për “1000 vjet”? Po në Spotify, kur do ta publikoni?

Duke qënë se këngët e “Këngës Magjike” janë në distribucion dhe pronësi të produksionit, nuk mendojmë që ja vlen të investohet edhe në në një video tjetër, pasi një e tillë tashmë është aktualisht në qarkullim e realizuar nga ky produksion. Do të ishte një dublikim i panevojshëm. Por surpriza është një Lyric Video me gjithë animacionin që realizuam në studio për ta shoqëruarkëngën në ekranin ledwall. Që është një ilustrim mjaft i arrirë mbi mesazhin e këngës. Nëpërmjet kësaj videoja mund ta këndoni këngën si karaoke në YouTube. Sa për Spotify: megjithëse është platforma më e dënuar nga muzikantët për të ardhurat qesharake që paguan, lejimi i playlistat me muzikë të gjeneruar nga AI dhe investimet e tyre në industri të luftës, ende mbetet e keqe e domosdoshme. Ndërsa flasim, kënga po publikohet në të gjitha platformat, përfshirë Spotify. Personalisht do t’ju sugjeroja Tidal për cilësi më të lartë tingulli.

Nuk po më besohej kur shtypën butonin e kuq! Domethënë, e kuptoj që është pjesë e KM etj., por çfarë mendon një artist në momentin kur, në mes të interpretimit, butoni i parë që shtypet është i kuq? Unë për vete do kisha sharë hahahahahaha! (Shaka eh!)

Menaxhimi i humbjes është një art më i mirë sesa gëzimi i fitores. Kësisoj, butoni i kuq (ndoshta për ndonjë mëri personale) rrezikon të kthehet në një njollë të kuqe për atë që e shtyp pa të drejtë. Dhe për fat, këtë e përcakton publiku. Nuk është hera e parë që kalojmë në situata të tilla. Bota e artit ka demonët e vet që duhen luftuar. Amen!

Brezat e mëparshëm kanë pasur kanale muzikore, shumë programe artistike, kanë pasur shtypin etj., ku mund të promovonin veten dhe punët e tyre. Këto burime tashmë pothuajse nuk ekzistojnë, dhe rrjetet sociale, ndryshe nga ç’besohej, nuk më duken edhe aq efikase. Si artiste e re, çfarë do të dëshiroje të ndryshonte në këtë aspekt për të ndihmuar si juve, ashtu edhe artistët e tjerë të rinj, për të avancuar në karrierën tuaj?

A ka një “Undo” biologjik? A mund të rilindja në 1954 për të shijuar epokën e artë të prodhimit muzikor në shkëlqimin e vet? Edhe nëse do të ndodhte, çfarë garancie do kisha që makina e kohës nuk do kthehej në vendin e origjinës ku mund të përfundoja në burg si interprete e festivalit të 11-të?  Përderisa ende jo (Terminatori ende fle i qetë), atëherë le të kënaqemi me pjesën tonë të historisë. Mediat sociale duket sikur nuk funksionojnë, por me përpjekjen e duhur… a nuk na mundësoi gjetjen e  një intervistues kaq pasionant sa ju?




Aaaaaawwww! Shumë faleminderit dhe mëse e drejtë.

Ju tashmë jeni edhe kompozitore, çka më bën të mendoj se në këngët e ardhshme do të shohim një profil më të plotë tuajin si artiste…

Kam filluar të artikuloj mendimet e mia të para si krijuese dhe megjithëse tepër e vështirë, besoj se po ja dal me sukses. Por, nga natyra e aktit tim, jam më e prirur të frymëzohem nga pëshpërima e Zotit, sesa të pëshpëris vetë.

E keni menduar publikimin e një EP-je ose albumi të plotë?

Po. Është duke u pjekur. Jemi vetëm dy këngë larg. Shpresoj të jenë këngë të shkurtra.

Në përfundim, (përveç Këngës Magjike), ku do të kemi mundësinë t’ju shohim në ndonjë performancë live së shpejti?

Kjo është një pyetje që ne të dy bashkë mund t’ua drejtonim organizuesve të koncerteve, të cilët, fatkeqësisht, po rrallohen së tepërmi. Por iniciativa jonë si grup produksioni është e paparë. Ndoshta do të më gjeni duke kënduar live në vendet që më së paku do kishit menduar se mund të ndodhte… Stay tuned në rrjetet e mia sociale, e vetmja dritare ende pa demonë.

 Intervistoi: Elbino  ©Albanyac 11/2025







No comments

Powered by Blogger.