Header Ads

Genti Lako: Ish-pjestari i “Thunderway”, sot prodhon hitet me te mira te Pop-Shqip





Jave pas jave, ketu ne Albaniac ne postojme intervista te kengetareve me te kerkuar te momentit ne Shqipe.Ajo cka eshte per te ardhur keq, eshte se shumica e kengetareve tane,jo vetem qe nuk dine te luajne apo te pakten nuk i sheh te luajne ndonje vegel muzikore,por as nuk marrin pjese ne pergatitjen e kenges. Shume studio muzikore jane shnderruar ne McDonalds.Do nje kenge regaton? Per nje ore gati! Rrep? Fillo flit! Pop-Folk? Sa ta vjedhim nga bullgari! Nese ne skene gjerat duken sikur shkojne persembari, ne “prapaskena” situata eshte shume e mjegullt.

Per te mesuar me teper, ne vendosem te intervistonim nje prej kompozitoreve me te mire te momentit ne Shqiperi Genti Lako, i cili ka nje jete te tere ne muzike.Shume prej jush mund ta mbani mend si pjestar i grupit me te mire hardcore metal- “Thunderway”,por sot ai eshte kompozitori qe prezanton publikut hitet me te reja te stines.




Elbino:Na tregoni në vija të përgjithshme diçka rreth jetës dhe karrierës suaj artistike…


Genti:Që në klasë të parë u futa për piano, në të cilën punoja disa orë në ditë sistematikisht. Në klasë të 7-të nis dhe veglën tjetër të cilën e dashuroja, kitarën. Më pas në vit të parë gjimnaz krijoj grupin tim i cili luante në rrymat “hardcore metal”, në të cilin kompozoja pjesët dhe këto pjesë i këndoja dhe i ekzekutoja në kitarë njëkohësisht. Më vonë me grupin “Thunderway” e pak më vonë iki në Greqi, ku kuptova sesi funksiononte një studio.Kur u ktheva në Shqipëri, kisha veç një dëshirë : të punoja në studio. Kjo dëshirë mu realizua shpejt në një nga studiot më të mira në Shqipëri dhe me një investim kolosal, në studion e Top Albania Radio-s, ku punova për 4 vite. Tashmë ka 3 vjet që punoj në studion time.


Për çfarë jeni duke punuar momentalisht dhe me cilin/cilën artiste?


Momentalisht po punoj me këngëtar të cilët kanë mbaruar albumet, por presin nga mua hitin që do marketojë albumin duke e shoqëruar me klip. Më pas ato do hidhen në treg në verë. Disa nga artistët janë : Argjend Lloga, Greta Koçi, Petrit Lulo, Kastriot Tusha, Manjola Nallbani si dhe artistë të ndryshëm nga Kosova. 


Cili është hiti me i fundit me të cilin jeni prezantuar në tregun muzikor?


Bëhet fjalë për një këngë të Greta Koçit e cila u prezantua më 26 mars në Top Fest.


Muzika shqiptare në këto pesë vjetët e fundit ka përparuar jashtëzakonisht shumë, në krahasim me dhjetëvjeçarin 1992-2002. Ka ardhur kjo si pasojë e kërkesës së publikut për më shumë muzikë shqiptarëve, rritjes së cilësisë së këngëve apo të gjithë meritën e kanë videoklipet?


Apsolutisht jo, klipet. Një klip mund të jetë i bukur për tu parë, por kur individi do të kërcejë në pub ose do të dëgjojë muzikë të bukur në makinë do zgjedhë muzikën e bukur me tekst të bukur dhe interpretuar nga një këngëtar i mirë. Klipi është thjesht një veshje. Rritja e cilësisë është fakti që disa pak kompozitorë të mirë duke u pjekur dhe nga ana profesionale e sound-it kanë bërë që dhe kompozitorë të tjerë të punojnë fort dhe të kërkojnë më shumë nga vetja sepse ndryshe detyrimisht do dilnin nga tregu. Pra në një farë mënyre unë kam dhënë kontributin tim këto 5 vite që jam në treg për ti hapur sa më tepër sytë amatorëve të muzikës duke i kërkuar të mos kënaqem me pak, pra me një muzikë të dobët. Me pak fjalë i kemi ofruar publikut një muzikë me cilësi të lartë nga ana e konceptimit dhe silësisë së dëgjimit. Kështu që ky public kurrsesi nuk tha jo, por direct e thithi duke i thënë ‘jo’ muzikës së dobët, të cilën e aneksoi nga tregu.


Cfarë i mungon tregut muzikor shqiptar sot?


Asgjë, do thoja është i tejngopur. Ndoshta do i mungonte një polici muzikore e cila do të pajiste me licensë këngëtarë të kualifikuar dhe jo çdo njeri mund të kishte këtë licensë i cili duke pasur mundësi financiare zë ekranet muzikore duke e marketuar veten me dhunë deri 20 herë në ditë transmetim. Imagjinoni një këngëtar shumë të dobët të cilit i është skalitur zëri me daltë në studio në mënyrë të tmerrshme dhe del përditë si një ‘lugat’ duke i thënë publikut “Nuk ke nga ia mban! Do më dëgjosh mua patjetër kudo që ta kalosh kanalin. Unë kam para, unë shfaqem kudo!”-duke zaptuar dhe mediat e shkruara.Të tillë fatkeqësisht janë shtuar shumë. Një këngëtar mund të fitojë deri në 5 mijë euro në javë në diskoteka dhe lokale. Pra, kjo quhet tregti dhe ka nevojë për licensë. Kështu mund të kontrollohet kjo gjullurdi e madhe që po ndodh dhe publikut ti bien pak veshët rehat.




Shikoj që shumë artistë prodhojnë videoklipe të cilat dalin muaj përpara një albumi ose muaj mbasi albumi ka dalë apo më keq,pa publikuar një album

fare.Gjithashtu kam vënë re një “grup” artistësh që tentojnë të jenë “seriozë” dhe i kundervihen një tjetër grupi artistësh (që janë më provokativ në skenë),për arsye nga më të pakuptimtat. A “ekziston” biznesi muzikor në Shqipëri? Dua të them,a kanë arritur të kuptojnë një pjesë e mirë e artistëve se muzika përveç se art është edhe biznes?


Këngëtarët në radhë të parë e quajnë biznes. Unë këtë e kuptoj nga kërkesa që kanë për këngët. Mundohen ta marrin këngën nga studio sa më shpejt të jetë e mundur sepse është faktori ‘kohë’ i cili i mundon më tepër sesa faktori ‘cilësi’. Unë këtë gjë kurrësesi nuk e toleroj, jo sepse nuk dua që paratë për këngën të vijnë sa më shpejt, por sepse s’dua apsolutisht të lëshoj një vepër pa cilësi duke patur firmën time. Shumë këngëtarëve të tillë i përgjigjem :”Ekzistojnë dhe studio të cilat mbarojnë nga një këngë në ditë. Je i lirë të shkosh”. Pra ky biznes që ata e kanë kuptuar gabim e ka rrezikuar cilësinë. Por disa kompozitorë këtë nuk e tolerojnë dhe prandaj cilësia që sipër përmenda vazhdon të jetë. Them me plot gojën se unë këtë biznes e kam kuptuar drejt. Pra, jo biznes duke zhvatur para’ përkohësisht me një mall të kalbur i cili e ka çuar drejt dështimit, por duke lakmuar më pak të ardhura për momentin, por një vazhdimësi të gjatë dhe me një cilësi në rritje. 


Ju vetë jeni kompozitor.Nga pikëpamja juaj… çfarë mund ta shtyj një kompozitor shqiptar të kopjoj punën e një kompozitori të huaj e ta prezantoj atë si një krijim të tijin?


Paaftësia dhe deliri për të qenë se s’bën dikush që s’është e s’do të jetë asnjëherë.


Ju ka ndodhur që ti thoni “Jo!” kërkesës së ndonjë artisti për të bashkëpunuar me juve?


Patjetër. I kam thënë dhe ndonjërit “Ndoshta i vdekuri mund të ngjallet, por ti nuk mund të bëhesh dot këngëtar kurrë”. Ka patur dhe këngëtarë të mirë të cilët dalin nëpër media me arrogancë të tepërt duke lavdëruar vetëm veten dhe duke i quajtur punët si një sukses personal. Me individë të tillë përgjigja ime ka qenë : “Shko rrëmbe suksesin ku të duash, tek unë jo. Je i përjashtuar”.


Duke qenë se vetë keni provuar të dilni në skenë edhe si këngëtar. Ju ka shkuar në mendje të riktheheni sërisht në një pozicion të tillë?


Apsolutisht jo. Ka që 18 vjec që nuk dal në skenë. Vendosa të punoj mbrapa kuintave dhe kështu do vazhdoj gjithmonë.


Kemi dëgjuar shumë këngëtarë të cilët shprehen të zhgënjyer dhe të “grabitur” nga pjesëmarrja në festivalet tona. A janë edhe kompozitorët po kaq të zhgënjyer?


Këngëtarët nuk duhet të synojnë për çmime, por të marrin pjesë në çdo kompeticion që të munden pasi është marketing falas për të cilin ata paguajnë gjatë vitit. Pra s’ka pse të ndihen të grabitur. I vetmi që grabitet është autori të cilit nuk i shënohet as emri në ekran dhe cd. Shumë veta më pyësin për një këngë të bukur të cilën e kam shfaqur tek Kënga Magjike : “Kush e ka bërë atë këngë”? Normalisht ndihem keq për këtë pakujdesi që ndodh në titrat e CD-së.


Di që keni shumë dëshirë të dërgoni një këngë në “Eurovision”. Kur mendoni se do të bëhet e mundur një gjë e tillë për ju dhe cfarë mendoni për përfaqsuesen e këtij viti “Hear My Plea” të Frederik dhe Aida Ndocit?


Vitin që vjen do mundohem të caj në strukturat e hekurta të cilat janë të pathyeshme dhe të vendosura  prej kohësh në TVSH, sepse në atë kompeticion nuk mjafton vetëm cilësia e lartë e këngës. Sa do ia arrij këtë nuk e di. Përsa i përket këngës së ciftit Ndoci, mendoj se është një këngë e arnuar, pa lidhje. Një vijë melodike e vjetër si Dennis Russo të cilës i është ngjitur me allçi një motiv sllav. Shumë pa lidhje ë? 


Kam mësuar se jeni super i fejuar :). Kush do dëshironit të këndonte Napolonin në dasmën tuaj?


Në dasmën time “Napolonin” do e këndoj vetë dhe kam frikë se ata këngëtarë që do jenë të ftuar do kenë frikë ta kapin mikrofonin pas kësaj


Pergatiti: 

Elbino ☺ 04/2007


No comments

Powered by Blogger.